Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka propozuar tri prioritete për Komisionin për Legjislacion, të cilat synojnë forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe avancimin e llogaridhënies institucionale.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se ka kërkuar që këto propozime të përfshihen në planin e punës së komisionit parlamentar.
Prioriteti i parë ka të bëjë me monitorimin e zbatimit të ligjeve për Gjykatën Komerciale dhe Gjykatën Administrative. Ky proces, sipas propozimit, do të shërbente për të vlerësuar rezultatet e arritura, sfidat me të cilat përballen këto institucione dhe ndikimin e tyre në efikasitetin e sistemit të drejtësisë.
Propozimi i dytë i Tahirit është nisja e hartimit të Ligjit për Deputetët, i cili do të përcaktonte më qartë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e deputetëve. Po ashtu, ky ligj do të rregullonte statusin dhe përfitimet e tyre gjatë ushtrimit të mandatit dhe pas përfundimit të tij.
Ndërkaq, prioriteti i tretë lidhet me shqyrtimin e mundësisë për themelimin e një gjykate të specializuar për luftimin e korrupsionit.
Në kuadër të këtij propozimi, Tahiri ka sugjeruar që anëtarët e Komisionit për Legjislacion të realizojnë një vizitë studimore në SPAK dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Qëllimi i kësaj vizite do të ishte njohja nga afër me përvojën shqiptare, procesin e themelimit të këtij institucioni, sfidat e hasura dhe mundësitë që ofron ky model.
Sipas Tahirit, këto tri çështje kanë rëndësi të veçantë për përmirësimin e funksionimit të institucioneve dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Për këtë arsye, ai ka kërkuar që monitorimi i zbatimit të ligjeve për Gjykatën Komerciale dhe Gjykatën Administrative, hartimi i Ligjit për Deputetët dhe shqyrtimi i mundësisë për themelimin e një gjykate të specializuar kundër korrupsionit të trajtohen si prioritete në punën e Komisionit për Legjislacion.











