Një hetim i pazakontë dhe i gjerë është aktivizuar pas zjarrit misterioz që përfshiu deponinë në Vizbeg të Shkupit më 9 korrik, i cili tashmë ka ngritur alarmin për një katastrofë të mundshme ekologjike dhe shëndetësore në kryeqytet.
Prokuroria Publike Themelore e Shkupit ka urdhëruar nisjen e procedurës parahetimore, duke përfshirë ekspertë nga disa fusha, pas dyshimeve serioze për ndotje të mjedisit me substanca të rrezikshme dhe mundësinë e një vepre penale me pasoja afatgjata për qytetarët.
Sipas njoftimit zyrtar, në vendin e ngjarjes janë angazhuar inspektorë të krimit ekonomik, ekspertë të ekologjisë, shërbimet për mjedis jetësor, si dhe – në një veprim të rrallë për raste civile – edhe ekipi për mbrojtje atomike, biologjike dhe kimike i Armatës së Maqedonisë së Veriut, i cili ka marrë mostra dhe kryer matje për prezencën e substancave toksike në ajrin e Shkupit.
Janë siguruar video-incizime, të cilat po analizohen për të përcaktuar shkaktarët e mundshëm të incidentit, ndërkohë që është konfiskuar edhe dokumentacioni i plotë për funksionimin e deponisë së Vizbegut.
Rezultatet nga analizat toksikologjike dhe biologjike pritet të dorëzohen së shpejti në Prokurori, e cila ka paralajmëruar ndëshkim penal nëse konfirmohen shkelje të rënda ligjore dhe rrezikim të shëndetit publik.
Qytetarët e Shkupit janë në pritje me ankth, ndërkohë që pyetja më e madhe mbetet:
Çfarë po thithim çdo ditë nga ajri?
Dhe kush është përgjegjës për këtë kërcënim të heshtur?
Hetimi vazhdon…





