Trendy

A mund ta fitojë Trump këtë luftë?

Para 1 orë

Nga gabimet strategjike te rreziku i humbjes së besueshmërisë globale, katër këndvështrime mbi konfliktin me Iranin

A ka ende Donald Trump mundësi ta fitojë këtë luftë? A është regjimi i ajatollahëve, ose më saktë regjimi i Gardës Revolucionare, tashmë i bindur se “nuk do ta humbasë”?

Për luftën siç shihet nga Uashingtoni, ofrohen katër analiza dhe një shqetësim i përbashkët. Nëse bashkohen vlerësimet e Walter Russell Mead, Gerard Baker, William Galston dhe Seth Cropsey, del një tablo koherente, pavarësisht dallimeve ideologjike. Katër këndvështrimet plotësojnë njëra-tjetrën: gabim në vlerësimin strategjik, natyrë asimetrike e konfliktit, krizë e konsensusit të brendshëm, rrezik për humbje të besueshmërisë globale. Së bashku, ato tregojnë një të vërtetë: kjo luftë është më e vështirë, më e paqartë dhe më e rrezikshme nga sa ishte parashikuar.

Historiani Walter Russell Mead nis nga një konstatim që tingëllon si një akuzë e dyfishtë: gabuan si “pëllumbat” ashtu edhe “skifterët”. Të parët ushqyen iluzionin se ishte e mundur të bashkëjetohej me regjimin iranian përmes një kombinimi të frenimit dhe dialogut, duke besuar në një evolucion të brendshëm të shoqërisë iraniane. Të dytët nënvlerësuan kostot dhe rreziqet e një përballjeje të drejtpërdrejtë ushtarake. Rezultati është një luftë që, sipas Mead, është njëkohësisht “më e nevojshme” nga sa mendonin të parët dhe “më e vështirë” nga sa parashikonin të dytët.

Ky nënvlerësim i dyfishtë shpjegon bllokimin aktual. Nga njëra anë, sulmet amerikane dhe izraelite kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në aparatin ushtarak iranian. Nga ana tjetër, nuk kanë arritur ende objektivin kryesor: të mbajnë të hapur Gjirin Persik dhe të mbrojnë vendet aleate nga sulmet e Teheranit. Epërsia ushtarake nuk përkthehet automatikisht në kontroll strategjik.

Mead thekson një pikë thelbësore: siguria e Gjirit mbetet një interes jetik për Shtetet e Bashkuara, edhe në një epokë të pavarësisë relative energjetike. Nuk bëhet fjalë vetëm për naftën, por për stabilitetin e sistemit global: rrugët tregtare, tregjet financiare, furnizimet kritike. Fakti që Irani është ende në gjendje të kërcënojë këto infrastruktura tregon se problemi ishte nënvlerësuar.

Gerard Baker analizon natyrën e konfliktit dhe e bën këtë përmes konceptit të luftës asimetrike. Sipas tij, në këtë lloj lufte palët kanë objektiva të ndryshëm: Shtetet e Bashkuara duhet të fitojnë, ndërsa Iranit i mjafton të mos humbasë. Kjo asimetri ndryshon gjithçka. Për Uashingtonin, “mos humbja” është një humbje politike, siç tregojnë përvojat në Irak dhe Afganistan. Për Teheranin, mbijetesa është tashmë një fitore. Regjimi iranian mund të përballojë humbje të mëdha – njerëzore, ekonomike dhe politike – pa u rrëzuar, sepse nuk i përgjigjet një opinioni publik. Ndërsa në SHBA, kostoja politike e çdo humbjeje është e lartë.

Baker identifikon tre dimensione të kësaj asimetrie. E para është pragu i dhimbjes: Irani mund të përballojë më shumë. E dyta është zgjedhja e objektivave: ndërsa SHBA godet objektiva ushtarake komplekse, Irani mund të arrijë efekte të mëdha me veprime më të thjeshta, si kërcënimi i Ngushticës së Hormuzit ose sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. E treta është qëllimi përfundimtar: për Teheranin mjafton rezistenca, ndërsa për Uashingtonin kërkohet një rezultat konkret. Përfundimi i tij është se të dyja palët mund të arrijnë njëkohësisht objektivat e tyre: SHBA mund të dobësojë kapacitetet iraniane, ndërsa Irani mbijeton dhe ruan aftësinë për të destabilizuar sistemin global. Një rezultat që nuk është fitore e plotë për askënd, por që për SHBA-në përkthehet në humbje prestigji.

William Galstonzhvendos vëmendjen në brendësi të SHBA-së, ku zhvillohet një betejë tjetër vendimtare: ajo e konsensusit. Analiza e tij është kritike ndaj Trump. Sipas tij, presidenti bëri një gabim themelor: hyri në luftë pa e përgatitur opinionin publik. Në demokraci, pa mbështetje publike, asnjë luftë nuk mund të mbahet gjatë. Nuk bëhet fjalë për mandat formal, por për ndërtimin e një konsensusi përmes shpjegimit të objektivave, rreziqeve dhe kostove. Trump nuk e bëri këtë. Ai dha një justifikim fillestar të dobët dhe nuk ndërtoi një narrativë të qëndrueshme. Si rezultat, mbështetja publike po bie shpejt. Vetëm një e treta e amerikanëve e konsideron konfliktin të justifikuar, ndërsa shumica kërkon përfundim të shpejtë.

Edhe më domethënës është refuzimi për të pranuar sakrifica ekonomike. Rritja e çmimit të karburanteve nuk perceptohet si kontribut patriotik, por si barrë e pajustifikuar. Frika nga një përfshirje tokësore, edhe e kufizuar, has në kundërshtim të fortë. Galston nënvizon kontradiktën politike: Trump ndërtoi karrierën duke kritikuar luftërat e gjata në Lindjen e Mesme, ndërsa tani drejton një të tillë pa përgatitur terrenin. Rreziku nuk është vetëm elektoral, por edhe institucional: një luftë pa konsensus minon legjitimitetin demokratik.

Ish-ushtaraku dhe studiuesi i strategjisë Seth Cropsey përfaqëson një qasje të kundërt: ai shqetësohet për mungesën e veprimit. Sipas tij, ndalimi tani do të ishte një gabim historik i krahasueshëm me krizën e Suezit në vitin 1956. Ai e sheh luftën si një provë të besueshmërisë globale të SHBA-së. Nëse Uashingtoni nuk e përfundon operacionin – duke rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe neutralizuar kërcënimin iranian – pasojat mund të shtrihen përtej rajonit: të inkurajojnë Kinën për Tajvanin, të forcojnë Rusinë ndaj NATO-s dhe të dobësojnë sistemin e aleancave.

Sipas Cropsey, mësimi i Suezit është se kur një fuqi e madhe tregon mungesë vullneti për të mbështetur veprimet e saj, ajo humb statusin. Në vitin 1956 kjo shënoi fundin e ambicieve globale të Francës dhe Britanisë; sot, sugjeron ai, mund të ndodhë e njëjta gjë me SHBA-në.

Nga kjo ai nxjerr një përfundim të debatueshëm: për të fituar, nevojitet përshkallëzim, përfshirë mundësinë e një ndërhyrjeje tokësore të kufizuar për të siguruar Ngushticën e Hormuzit. Kjo bie ndesh me opinionin publik të përshkruar nga Galston, por reflekton një logjikë strategjike tjetër: më mirë një kosto e menjëhershme sesa një rënie më e thellë në afatgjatë.

Duke i bashkuar këto katër analiza, del në pah një tension qendror në politikën amerikane. Nga njëra anë, logjika strategjike shtyn drejt angazhimit më të fortë: siguria e Gjirit, besueshmëria ndërkombëtare, frenimi i Iranit. Nga ana tjetër, logjika e brendshme politike shtyn drejt të kundërtës: shmangie e përshkallëzimit, ulje e kostove, dalje e shpejtë nga konflikti.

Mead tregon se lufta ishte e vështirë për t’u shmangur dhe për t’u fituar. Baker shpjegon pse fitorja është problematike në një konflikt asimetrik. Galston demonstron se pa konsensus të brendshëm edhe një luftë e justifikuar bëhet e paqëndrueshme. Cropsey paralajmëron se një luftë e papërfunduar mund të ketë pasoja strategjike të rënda.

Çdo opsion ka kosto të larta. Vazhdimi i luftës nënkupton një përshkallëzim të gjatë dhe të pasigurt. Ndalimi do të thotë pranimi i një rezultati të paplotë, me pasoja për besueshmërinë amerikane. Është dilema klasike e fuqive të mëdha në një botë të paqëndrueshme, e përkeqësuar nga një faktor shtesë: bindja në rritje se sistemi ndërkombëtar ka hyrë në një fazë më të rrezikshme.

Lufta kundër Iranit nuk është një episod i izoluar, por një test për aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të menaxhuar konkurrencën globale. Përtej dallimeve, të gjithë bien dakord se ky konflikt nuk ka të bëjë vetëm me Iranin, por me rolin e Amerikës në botë. Një provë që, për momentin, mbetet e hapur. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”

Trending