Trendy

Abdixhiku: Kërkoj dorëheqjen e kryetarit të Pejës dhe Lipjanit, performuan dobët në zgjedhje

Para 2 orë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur menjëherë kërkesave për dorëheqje nga Degët e LDK-së në Pejë e Lipjan, duke kërkuar që kryetarët e dy këtyre komunave të ofrojnë dorëheqjen, meqë kanë performuar dobët, duke e renditur LDK-në si partia e tretët në nivel nacional, ndonëse LDK-ja udhëheq me këto dy komuna.

“I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë. Fundja kemi bashkëpunuar gjatë”, ka shkruar ai fillimisht në platformën sociale, Facebook.

Çështja e dorëheqjes nga LDK-ja, sipas Abdixhikut, është trajtuar në Kuvendin e LDK-së më 31 janar të këtij viti.

“Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, ka shtuar ai.

Ai ndër të tjera ka siguruar anëtarët e partisë “se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë”.

“Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash. Që nga atëherë, me te gjitha pengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do te lejojmë që vullneti i shumicës dërrmuese të LDK-se të tjetërsohet në projekte që synojnë ndarjen dhe me pas shuarjen e LDK-së”.

Fundja, sipas tij, LDK nuk është konfederatë e interesave lokale.

“As platforme e karrierave individuale. LDK mbetet parti nacionale. E vetes. E askujt tjetër; sidomos e asnjë partie tjetër. Ftoj anëtarësinë shumicë që, në këto kohë të trazuara, të ruajë qetësinë. Do ta kapërcejmë secilën sfidë siç dimë ne.  Ndjej vetëm keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?!”, ka shtuar ai.

Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit, në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë shtuar pakënaqësitë ndaj udhëheqjes së partisë.

Nga dy komunat të udhëhequra nga kjo parti është kërkuar dorëheqja e kryetarit Lumir Abdixhiku. Pas mbledhjeve të kryesisë së degëve të LDK-së në Pejë dhe Lipjan, të martën, këto dy degë kanë vlerësuar se Abdixhiku nuk duhet të vazhdojë të qëndrojë në krye të partisë.

Fillimisht, dega e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri, njëkohësisht kryetar i Pejës, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Abdixhikut, duke e cilësuar atë si një “akt moral dhe politik”, me arsyetimin se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.

Më pas, edhe dega e udhëhequr nga Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit, kërkoi dorëheqjen e kryetarit si një “standard të përgjegjësisë politike” dhe si një akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë dhënë përmes votës së tyre.

Trending