Mobilizim, entuziazëm dhe valë ndryshimi. Kështu e përshkroi atmosferën aktuale në Tetovë dhe në gjithë komunat shqiptare shefi i shtabit qendror të VLEN-it, Adnan Azizi, i cili përmes një statusi në Facebook thotë se ajo që po ndodh në terren është më shumë se fushatë, është ringjallje qytetare.
“Me këtë mobilizim të jashtëzakonshëm që po ndodh në Tetovë dhe gjithandej, entuziazmi dhe uniteti që po shohim çdo ditë në çdo cep të vendit janë dëshmi e një vale të re ndryshimi që po bëhet gjithnjë e më e fuqishme”, ka shkruar Azizi.
Sipas tij, rezultati 11-1 për VLEN-in në raundin e parë më 19 tetor ishte vetëm fillimi. “Më 2 nëntor, kjo fitore do të zgjerohet dhe do të shndërrohet në 15-1, duke vulosur përfundimisht vullnetin e qytetarëve për zhvillim, drejtësi dhe dinjitet.”
Azizi theksoi se Tetova është zemra e këtij ndryshimi, dhe se bashkimi i qytetarëve përtej ndarjeve të vjetra është garancia më e madhe për fitoren përfundimtare.
“Kur njerëzit bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, asgjë nuk mund t’i ndalë”, përfundoi ai.










