Shefi i Shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN dhe deputet në Kuvend, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, duke akuzuar kundërshtarët për shpifje dhe tentativë për të mbuluar humbjen e thellë.
“Pas debaklit që pësuan të dielën, doktorit dhe pacientit u ka mbetur vetëm shpifja. S’kanë si ta mbulojnë turpin e tyre ndryshe. Por, ne kemi vendosur të merremi me punë, s’kemi kohë për shpifjet e Arbenit, Aliut, Ziadinit apo Zejdit,” – ka shkruar Azizi.
Në vijim, ai përdori një citat simbolik për të nënvizuar fundin politik të kundërshtarëve të tij:
“I madhi i njerëzimit tha: ‘I vdekuri nuk shahet.’ S’kemi pse merremi me ata që politikisht kanë përfunduar – sot janë mes jetesës dhe mbijetesës.”
Reagimi i Azizit vjen në kulmin e përplasjeve paszgjedhore, ku përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët dhe strukturave të AKI-së kanë akuzuar VLEN-in për humbje terreni dhe varësi nga votat e VMRO-DPMNE-së.
Azizi, nga ana tjetër, thotë se koalicioni VLEN është i përkushtuar ndaj punës dhe ndryshimit real, ndërsa kundërshtarët e tij “po jetojnë në nostalgjinë e posteve të humbura”.










