Trendy

Adnan Azizi: VLEN zhvilloi fushatën më të qetë dhe më kredibile në 20 vitet e fundit – opozita dështoi ta fusë në zënka e shpifje

Para 6 muaj

Shefi i shtabit qendror të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, në një intervistë për TV Koha, ka deklaruar se fushata zgjedhore ka qenë ndër më të qetat dhe më të organizuarat ndonjëherë, duke theksuar se koalicioni që ai përfaqëson zhvilloi një fushatë të bazuar në program, ofertë dhe kandidatura kredibile.
“Në përgjithësi, fushata ka qenë e qetë. Ne kemi zhvilluar një fushatë të emacipuar. Me program, me ofertë, me kandidatura kredibile. Nuk rëshqitëm në terrenin që u munduan të na fusë opozita për të zhvilluar një fushatë agresive të zënkave dhe shpifjeve e kundërshpifjeve,” deklaroi Azizi.
Ai theksoi se procesi zgjedhor është vlerësuar pozitivisht si nga vëzhguesit vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, duke e cilësuar si më të paqtin dhe më të ndershmin në vitet e fundit.
“Ne jemi munduar që gjithë procesin ta ndërtojmë me kredibilitet dhe të gjithë vlerësimet, edhe të brendshme edhe të jashtme, janë se zgjedhjet kanë qenë më të qeta, më kredibile, më pa incidente. Në fund dalin edhe rezultatet e certifikuara, ashtu siç edhe pritej nga të gjitha institucionet, pa kontestime – vetëm me disa përjashtime ku është normale të ketë pakënaqësi,” tha Azizi.
Sa i përket ankesave pas shpalljes së rezultateve, Azizi sqaroi se të gjitha do të trajtohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), i cili do të japë epilogun përfundimtar.
“Edhe pse të gjitha procesverbalet janë mbyllur, dihet se pasi konfirmohen rezultatet ka edhe ankesa të cilat do t’i shqyrtojë KSHZ-ja dhe do të ketë epilog,” shtoi ai.
Fjalët e Azizit vijnë në një moment kur partitë janë në pritje të rezultateve përfundimtare nga rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale dhe të përfundimit të procesit zgjedhor, ndërsa vlerësimet e përgjithshme mbeten se fushata e këtij viti është zhvilluar në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Trending