Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti i Ohrit po vazhdojnë të konsolidojnë pozitën e tyre si ndër më të rëndësishmit në rajon, sipas të dhënave të fundit dhe vlerësimeve nga mediat ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, bëri të ditur se Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit ka shënuar rritje prej 32 për qind të trafikut të udhëtarëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ai theksoi se, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga zhvillimet gjeopolitike, përfshirë konfliktin në Lindjen e Mesme që ka ndikuar në reduktimin e rreth 6 mijë vendeve të reja në fluturime, aeroporti vazhdon të mbajë një pozicion të lartë në renditjen rajonale.
Vlerësimet për performancën e aeroporteve në vend janë konfirmuar edhe nga portali i specializuar EX-YU Aviation News, i cili i rendit ato ndër më të suksesshmet në rajon për sa i përket rritjes dhe zhvillimit të trafikut ajror.










