Trendy

Afera e spiunazhit: Turqia dhe Serbia kanë “spiunë” në presidencë!?

Para 3 orë

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka konfirmuar se ka hapur procedurë hetimore për spiunazh të mundshëm në Kabinetin e presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova. Sipas Prokurorisë, procedura është hapur më 18 dhjetor 2025, pasi Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori për Krim Kompjuterik, ka dorëzuar njoftim lidhur me një ngjarje të ndodhur më 24 nëntor 2025 dhe me indicie për aktivitete të palejuara që prekin interesat e larta shtetërore. “Po atë ditë u hap procedura paraprake dhe menjëherë u ndërmorën të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme në përputhje me kompetencat ligjore të Prokurorisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.

Në kuadër të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore Penale urdhër për kontroll të sistemit kompjuterik me qëllim verifikimin e përmbajtjeve që mund të jenë kopjuar në mënyrë të paautorizuar nga sistemi informativ i Kabinetit të Presidentes. Njëkohësisht janë lëshuar urdhra për nxjerrjen e të dhënave nga kompjuterët personalë dhe laptopët e dorëzuar nga Kabineti presidencial në MPB.

“Prokuroria ka kërkuar gjithashtu edhe kopje të incizimeve nga kamerat e sigurisë që lidhen me ngjarjen e raportuar. Megjithatë, sipas në fillim të vitit 2026 është njoftuar se Kabineti i Presidentes nuk disponon me kopje të video-materialeve, pasi pajisjet janë siguruar përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP), ndërsa ruajtja dhe administrimi i incizimeve është në kompetencë të MPB-së. Nga SHPPP është konfirmuar se institucioni ka qenë përgjegjës vetëm për furnizimin e pajisjeve, ndërsa materialet e video-mbikëqyrjes ruhen nga MPB-ja”.

Prokuroria thekson se, pavarësisht kërkesave të dërguara, deri më sot nuk ka marrë asnjë informacion kthyes nga MPB lidhur me sigurimin e këtyre incizimeve.

“Më 16 mars 2026, MPB-ja ka informuar Prokurorinë për disa aktivitete të ndërmarra për sigurimin e qasjes në të dhënat e enkriptuara nga pajisjet kompjuterike të sekuestruara. Gjithashtu janë dorëzuar dy telefona celularë të marrë nga personi i raportuar, me kërkesë që të kryhet nxjerrja e të dhënave në Qendrën Hetimore të Prokurorisë. Më 25 mars 2026, duke pasur parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e rastit, prokurori kompetent ka urdhëruar analizë të të dhënave nga telefonat celularë, si dhe analizë të përbashkët të materialeve të nxjerra nga pajisjet kompjuterike. Po ashtu, është kërkuar edhe vlerësim i veprimeve të ndërmarra sipas urdhrit gjyqësor për kontroll dhe inspektim të sistemit informativ të Kabinetit të Presidentes”.

Deri më sot, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, pavarësisht seriozitetit të rastit, ndjeshmërisë së rrethanave dhe rëndësisë së veprimit në kohë, Prokuroria nuk ka marrë njoftim nga MPB për rezultatet e aktiviteteve të ndërmarra dhe as për provat e siguruara.

Ndryshe, afera është zbuluar rastësisht, ndërsa sipas informacioneve të raportuara në media, në të gjithë rastin janë të përfshirë disa persona të punësuar në Kabinetin e Presidentes, si dhe të paktën dy shërbime të huaja inteligjente – njëra nga një shtet anëtar i NATO-s, ndërsa tjetra nga një shtet fqinj që nuk është anëtar i NATO-s. Sipas informacioneve, dyshimet se diçka nuk ishte në rregull kanë çuar në paraqitjen e një kallëzimi përkatës, fillimisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Agjencinë e Zbulimit, ndërsa më pas në hetim janë përfshirë edhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe Agjencia për Siguri Kombëtare.

Sipas burimeve, njëra nga shërbimet e huaja tashmë ka pranuar se ka pasur njeriun e saj brenda Kabinetit të Presidentit. Për nevojat e hetimit janë siguruar edhe incizime nga kamerat e sigurisë në vilën “Vodno”. Në aferë është e përfshirë edhe një e punësuar në Kabinetin e Presidentit. Ajo është punësuar gjatë periudhës kur president ishte Gjorge Ivanov. E punësuara, për të cilën ekzistojnë dyshime se ka ndarë informacione me shërbime të huaja, sipas këtyre pretendimeve ka qenë në dispozicion të shërbimeve turke.

Sipas burimeve, informacionet për autoritetet maqedonase janë konfirmuar pikërisht nga shteti turk, si shtet mik dhe anëtar i NATO-s. Deri më tani nuk ka informacione se çfarë lloj të dhënash janë ndarë dhe nëse ato janë përcjellë tek shërbimet turke apo tek shërbime të tjera. Sipas raporteve të mediave, ekziston mundësia që informacione të jenë ndarë edhe me BIA-n serbe, çka do ta bënte skandalin edhe më të madh, pasi Serbia nuk është anëtare e NATO-s dhe konsiderohet shtet i afërt dhe “mik” i Rusisë në Ballkan. Sidoqoftë, rasti ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e sistemit informativ në institucionin më të lartë shtetëror, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të dyshimeve për spiunazh vazhdojnë. (koha.mk)

Trending