Më 21 qershor 2025, rreth orës 11:40, në Stacionin Policor të Gostivarit është raportuar një aksident i rëndë komunikacioni i ndodhur në rrugën magjistrale Gostivar–Kërçovë. Sipas informacioneve zyrtare, personi me iniciale Z.Z. (42) nga Gostivari, duke drejtuar një motoçikletë të markës “Honda” me targa vendore, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është rrëzuar në asfalt.
Nga rrëzimi, motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është transportuar me urgjencë në Qendrën Mjekësore të Gostivarit, ku është konstatuar gjendja e tij serioze. Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë ekipi hetimor nga OVR Gostivar, i cili ka kryer inspektimin teknik dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave që kanë çuar në aksident.