Bajnicë e Epërme, 12 qershor 2025 – Një aksident serioz trafiku ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një rrugë lokale në fshatin Bajnicë e Epërme, komuna e Gostivarit. Një i mitur, banor i këtij fshati, duke drejtuar një moped, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga.
Për pasojë, drejtuesi i mitur ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim urgjent në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit. Sipas raportit të policisë, pasagjeri që ndodhej me të – D.M., 23 vjeç, po ashtu nga fshati – ka pësuar lëndime më të lehta.
Njësitet hetimore të policisë së Gostivarit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer inspektimin teknik, ndërkohë që hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim.










