Një aksident i rëndë trafiku i shoqëruar me shpërthim zjarri ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në hyrje të Shkupit, duke shkaktuar bllokim të plotë të autostradës.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një kamion dhe një automjet udhëtarësh, të cilat pas përplasjes janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur plotësisht.
”Më datë 10.02.2026, në ora 23:00, në SPB Shkup është raportuar se në autostradën Shkup-Kumanovë, përpara kyçjes për rrugën qarkore të qytetit të Shkupit, ka ndodhur një aksident komunikacioni midis një automjeti pasagjerësh ‘BMW’ me targa të Shkupit, i drejtuar nga A.V. (25) nga fshati Bujkoc i Shkupit, dhe një automjeti transportues ‘Mercedes’ me gjysmërimorkio me targa të Negotinës, i drejtuar nga L.D. (56) nga fshati Brest i Shtipit. Si pasojë e përplasjes, të dyja automjetet janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur plotësisht.
Sipas njoftimit të MPB-së, drejtuesi i makinës “BMW” ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.
Në vendngjarje ka kryer inspektimin ekipi i SPB Shkup për të zbardhur shkaqet e aksidentit.










