Një aksident i rëndë zinxhir ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën Shtip–Shkup, ku disa automjete janë përplasur njëra pas tjetrës.
Si pasojë e aksidentit, gjithsej nëntë persona kanë mbetur të lënduar. Me automjete të Ndihmës së Shpejtë ata janë transportuar në spitalin e Shtipit. Dy prej tyre kanë pësuar lëndime më të rënda, ndërsa të tjerët kanë kaluar me lëndime më të lehta, njofton TS.
Xhama të thyer, parakolpë të copëtuar dhe pjesë të automjeteve të shpërndara nëpër autostradë – kjo ishte pamja që i priti ekipet në terren. Në vendin e ngjarjes u konstatuan tetë automjete të dëmtuara, shumica me dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë xhama të thyer, dyer të shtypura dhe parakolpë të shkatërruar. Mbetjet e automjeteve dhe copat e xhamit qëndruan për orë të tëra në rrugë, ndërsa ekipet punonin për pastrimin e terrenit.
Jozyrtarisht, sipas informacioneve të para, shkak dyshohet të ketë qenë rruga e rrëshqitshme.
Ekspertiza në vendngjarje zgjati më shumë se tetë orë. Gjatë kohës që prokurori publik po hetonte rrethanat e aksidentit, qarkullimi ishte plotësisht i bllokuar. Më vonë, automjetet u lejuan të kalonin në mënyrë alternative në një korsi.










