Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Gostivar, ku janë përfshirë katër automjete. Si pasojë e aksidentit, dy 14-vjeçare kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe pas ndihmës së dhënë në Qendrën Urgjente në Gostivar janë transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, përcjell tetova1
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 03.10.2026, rreth orës 22:10, në DPB Gostivar është denoncuar se në kryqëzimin e rrugëve “Kej Vardar” dhe “Tode Bogdanovski” ka ndodhur një aksident komunikacioni.
Në aksident kanë marrë pjesë automjetet e udhëtarëve “Golf”, i drejtuar nga E.R. (18), “Golf”, i drejtuar nga B.A. (19), “BMW”, i drejtuar nga M.M. (25), si dhe një automjet i parkuar “Passat”, në pronësi të E.S. (54), të gjithë nga Gostivari.
Përveç dy 14-vjeçareve që kanë pësuar lëndime të rënda, me lëndime trupore kanë përfunduar edhe shoferët B.A. dhe E.R., si dhe bashkëudhëtarët A.S. dhe B.L.
Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi hetimor i DPB Gostivar.
Pas aksidentit ka reaguar aktorja Vjollca Baftiu Zylbehari, e cila ka bërë apel për të rinjtë, prindërit dhe institucionet që të ndërgjegjësohen për sigurinë në komunikacion dhe të ndërmerren masa konkrete për parandalimin e aksidenteve.
Reagimi i plotë:
“Deshi Zoti dhe u shpëtuan vajzat dhe djemtë tanë, të rinjtë e këtij qyteti, nga aksidenti i trishtë i natës që lamë pas.
Është i papërshkrueshëm trishtimi i të rinjve që e përjetuan këtë natë, por edhe dhimbja dhe frika e prindërve dhe familjarëve.
Si një nënë, si një qytetare bëj apel.
APEL PËR TË RINJTË
Të rinj, kujdes kur ngisni makinën.
Makina nuk është mjet argëtimi.
Është përgjegjësi.
Kontrolloni qejfet, shpejtësinë dhe emocionet e çastit. Një çast pakujdesie mund t’ju lërë me trauma për gjithë jetën.
Mos lejoni që t’ju marrë jetën.
Nuk është koha për të fajësuar askënd.
Është koha për t’u ndërgjegjësuar.
APEL PËR PRINDËRIT
Flisni me fëmijët tuaj. Mos heshtni.
Vetëdijësoni se pas timonit nuk është vetëm një makinë, por një përgjegjësi për jetën e tyre e sidomos të të tjerëve.
Mos lejoni që qejfi i një nate të bëhet dhimbja e përjetshme.
APEL PËR INSTITUCIONET
Apel për Ministrinë e Punëve të Brendshme: të ndërmerren sa më shpejt hapa konkretë për vendosjen dhe funksionalizimin e kamerave të sigurisë – Safe City – si dhe forcimin e sigurisë në qytet dhe rrethinë.
Nëse duhet, le të punojmë të gjithë së bashku – institucionet, prindërit, shkollat dhe të rinjtë – që ajo që ndodhi mbrëmë të mbetet një paralajmërim dhe jo një kujtim i dhimbshëm për një tragjedi më të madhe.
Këta janë fëmijët tanë. Fëmijët e këtij qyteti.
Sonte na ndodhi neve.
Nesër mund t’ju ndodhë juve.
Askush nuk i rrit fëmijët për t’i humbur në rrugë.
Le të mos presim tragjedinë për të ndërgjegjësuar veten. Le të veprojmë sot”, ka përfunduar Baftiu Zylbehari./tetova1.mk











