Sektori për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke vepruar mbi informacione fillestare të pranuara nga FBI, ka zhvilluar një hetim të koordinuar lidhur me një treg ilegal online të njohur si “OLVX”.
Sipas të dhënave të siguruara, tregu online ka qenë aktiv nga korriku i vitit 2023 dhe ka funksionuar përmes disa domeneve interneti, duke përmbajtur një bazë të detajuar të të dhënave personale të komprometuara për regjistrimin e llogarive të klientëve dhe shitësve. Janë evidentuar mbi 2.600 llogari përdoruesish dhe mbi 1.500 llogari shitësish, ndërsa vlera totale e transaksioneve ka tejkaluar 500.000 dollarë amerikanë.
Në kuadër të procedurës, dhe me urdhër gjykate të lëshuar nga Gjykata Themelore e Tetovës, është kryer bastisje në komunën e Tetovës, në fshatin Reçicë e Madhe, tek të dyshuarit A.E. (20) dhe A.I. (23), shtetas të Maqedonisë së Veriut, për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara se janë administratorë të tregut të lartpërmendur. Gjatë bastisjes, ata janë kapur në vendin e ngjarjes në momentin e kryerjes së veprës për të cilën dyshohen, ndërsa janë sekuestruar kompjuterë desktop, laptopë dhe telefona celularë, të cilët do t’i nënshtrohen analizës forenzike dhe do të shërbejnë si prova në procedurën penale. Të dy personat janë privuar nga liria. Sektori për Krim Kompjuterik po vazhdon me masa dhe aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit, me qëllim identifikimin e të gjithë të përfshirëve dhe sigurimin e provave relevante, në përputhje me ligjet në fuqi.










