Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj është mes personave që kanë raportuar dhunë fizike nga autoritetet izraelite pas ndalimit të flotiljes humanitare me destinacion Gazën, konfirmuan burime nga organizata izraelite për të drejtat e njeriut Adalah për Albanian Post.
“Po, ai raportoi abuzim te një avokat. Tha se në anije iu vendosën pranga shumë fort, iu mbuluan sytë dhe u hodh në tokë. Gjithashtu raportoi se u godit nga ushtarët pas mbërritjes”, thanë burimet e Adalah për Albanian Post.
Sipas të njëjtave burime, Goxhaj është liruar dhe ndodhet në rrugë drejt Turqisë, ndërsa pritet të mbërrijë së shpejti pas deportimit nga Izraeli.
Rasti i tij del në pah teksa organizata izraelite për të drejtat e njeriut ngriti akuza të rënda mbi trajtimin e qindra aktivistëve të ndaluar gjatë operacionit izraelit kundër flotiljes për Gazën.
Adalah – Qendra Ligjore për të Drejtat e Minoritetit Arab në Izrael – deklaroi se ekipet e saj ligjore dhe avokatë vullnetarë takuan qindra pjesëmarrës të flotiljes në portin e Ashdod-it dhe dokumentuan dëshmi për “dhunë ekstreme, poshtërim seksual dhe plagë serioze” nga autoritetet izraelite.
Sipas organizatës, të paktën tre persona përfunduan në spital si pasojë e dhunës, ndërsa dhjetëra të tjerë shfaqën shenja të dyshuara frakturash në brinjë dhe vështirësi në frymëmarrje.
Adalah pretendon se aktivistët u detyruan të ecnin të përkulur dhe të qëndronin të gjunjëzuar për periudha të gjata, përveç dhunës së raportuar gjatë kapjes së anijeve në ujëra ndërkombëtare dhe transferimit drejt portit.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Izraelit njoftoi të enjten se të gjithë aktivistët ndërkombëtarë të përfshirë në përpjekjen për të thyer bllokadën detare të Gazës janë deportuar.
“Nuk do të lejojmë asnjë shkelje të bllokadës detare të ligjshme ndaj Gazës”, deklaroi ministria në një postim zyrtar.
Zemërimi ndërkombëtar u shtua pasi ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, publikoi video ku shfaqej duke ironizuar aktivistët e ndaluar, disa prej tyre të gjunjëzuar me duart e lidhura pas shpine.
Pamjet shkaktuan reagime të enjten edhe në Shqipëri. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cilësoi videot “tronditëse dhe të papranueshme”.
Sipas Hoxhës, Ambasada e Shqipërisë në Tel Aviv është udhëzuar të mbajë kontakte të ngushta me autoritetet izraelite për t’i garantuar qytetarit shqiptar ndihmën e nevojshme konsullore, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Ndërkohë, edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kritikoi mënyrën sesi Ben-Gvir menaxhoi situatën, duke thënë se trajtimi i aktivistëve “nuk përputhet me vlerat dhe normat e Izraelit”.










