Trendy

Alarm në aeroportet e BE-së, sistemi biometrik po shkakton radhë të gjata dhe humbje fluturimesh

Para 2 orë

Presidenti i Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë Stefan Schulte, ka ngritur shqetësime serioze për funksionimin e sistemit Entry-Exit (EES), mekanizmit të ri të Bashkimit Evropian për kontrollin e hyrjes dhe daljes së shtetasve nga vendet jashtë BE-së.

Sistemi, i cili bazohet në përdorimin e të dhënave biometrike të udhëtarëve, ka shkaktuar vonesa dhe radhë të gjata në disa aeroporte evropiane që prej hyrjes së tij në fuqi.

Schulte u bëri thirrje institucioneve evropiane të pranojnë problemet që po shfaqen në praktikë dhe të mos pretendojnë se sistemi po funksionon pa pengesa.

“Gjatë orëve të pikut, udhëtarët presin me orë të tëra në radhë dhe nuk e di si do ta përballojmë rritjen e trafikut në javët e ardhshme”, deklaroi ai.

Sipas tij, aeroportet e BE-së kanë hasur vështirësi të shumta që nga zbatimi i EES-it. Një nga rastet më të përfolura ndodhi në prill, kur pasagjerë të linjës Milano-Mançester humbën fluturimet për shkak të vonesave në kontrollin e pasaportave.

Kreu i kompanisë Fraport, e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Frankfurtit, kërkoi më shumë fleksibilitet për autoritetet kufitare, duke sugjeruar që sistemi të pezullohet përkohësisht në rastet kur krijohen bllokime dhe rrezikohet funksionimi normal i aeroporteve.

Aktualisht, Bashkimi Evropian lejon pezullimin e përkohshëm të EES-it në rrethana të caktuara deri në muajin shtator. Megjithatë, Schulte paralajmëron se sezoni veror vazhdon edhe pas kësaj periudhe dhe se pa ndryshime të mëtejshme, sistemi mund të përballet me një kolaps të plotë për shkak të fluksit të lartë të udhëtarëve.

Trending