Trendy

Alarm në Kroaci: Mungesa e karburantit për avionë rrezikon sezonin turistik

Para 2 orë

Mungesa e karburantit për avionë po kërcënon seriozisht të dëmtojë sezonin turistik në Kroaci, pikërisht në kohën kur vendi po përgatitet për periudhën më të rëndësishme të vitit – muajt e verës, kur miliona turistë mbërrijnë në bregdetin e Adriatikut, përcjell tetova1

Sipas analizave, problemi me kerosinën nuk është i kufizuar vetëm në Kroaci, por është pjesë e një krize më të gjerë evropiane, ku rezervat kanë rënë në nivele kritike. Në disa vende, furnizimet mjaftojnë vetëm për 8 deri në 10 ditë, ndërsa shumica nuk do të përballonin një ndërprerje më të gjatë të furnizimit.

Shkaku kryesor i kësaj krize është varësia nga importi i karburantit për avionë nga Gjiri Persik, prej nga Evropa siguron rreth 43% të nevojave. Situata përkeqësohet më tej nga tensionet gjeopolitike dhe problemet në rrugët e transportit, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit, duke e vështirësuar furnizimin.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk sigurohen sasi të reja karburanti në javët në vijim, mund të ketë pasoja serioze: nga vonesa dhe anulime fluturimesh, deri te pezullimi i përkohshëm i një pjese të flotës ajrore. Disa kompani ajrore tashmë kanë sinjalizuar rritje të çmimeve të biletave dhe ulje të disponueshmërisë së fluturimeve.

Për Kroacinë, e cila varet në masë të madhe nga turizmi, kjo paraqet një rrezik të madh. Çdo ndërprerje në trafikun ajror nënkupton më pak turistë, qëndrime më të shkurtra dhe humbje ekonomike për sektorin e turizmit dhe hotelerisë.

Edhe në rast se kriza stabilizohet, rikthimi në furnizim normal nuk pritet të jetë i shpejtë. Transporti i sasive të reja të karburantit kërkon javë, madje edhe muaj, çka do të thotë se efektet mund të ndihen gjatë gjithë sezonit.

Analistët paralajmërojnë se kjo mund të jetë një nga sezonet turistike më sfiduese të viteve të fundit, veçanërisht nëse kriza energjetike vazhdon të thellohet. Kroacia, si një nga destinacionet më të vizituara në rajon, përballet tani me një test serioz: a do të arrijë të ruajë stabilitetin e sektorit turistik apo do të ndjejë drejtpërdrejt goditjen e krizës globale energjetike./tetova1.mk/

Trending