Në një moment kur tensionet gjeopolitike sa vijnë e thellohen, eksperti i sigurisë Dritan Goxhaj lëshon një paralajmërim tronditës: NATO dhe aleatët e saj – përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën – po ecin me ritmet e luftërave të së kaluarës, ndërsa bota tashmë është futur në një epokë të re, ku dronët, artileria inteligjente dhe lufta kibernetike po diktojnë gjithçka.
“Jemi futur në një gjeneratë të re të luftës, por NATO ende nuk e ka kuptuar këtë,” thekson Goxhaj, duke shtuar se edhe stërvitja e fundit Defender Europe 2025 është zhvilluar mbi praktika të vjetruara që nuk pasqyrojnë realitetin e ri luftarak në Ukrainë, Lindjen e Mesme apo Azinë Jugore.
Sipas tij, stërvitjet po bazohen ende te taktikat e shekullit të kaluar, ku trupat përparonin me transportues dhe helikopterë. “Kjo është jashtë realitetit të sotëm. Frontet sot kontrollohen nga dronët – terreni është i skanuar, çdo lëvizje zbulohet dhe goditet me precizion fatal,” paralajmëron ai.
Goxhaj nuk kursen as kritikat për mungesën e vizionit në mbrojtjen shqiptare dhe kosovare, duke zbuluar se Serbia tashmë ka krijuar njësi të specializuara për dronët FPV, prodhon vetë dronë kamikaz dhe po avancon në fushën e teknologjisë luftarake.
“Nuk kemi njësi dronësh, nuk kemi rritje të artilerisë, as sisteme të avancuara kundërajrore. Po vazhdojmë të mburremi me 3-4 dronë të mëdhenj që në një luftë reale nuk kanë asnjë vlerë,” shton eksperti me tone alarmuese.
Ndërsa në horizont formohet një panoramë lufte gjithnjë më digjitale dhe asimetrike, Goxhaj apelon: “NATO duhet të ndërrojë qasje urgjentisht. Lufta e nesërme kërkon strategji të reja, përndryshe do të na zë në gjumë!”
Në sfondin e një armëpushimi të brishtë midis Izraelit dhe Iranit, bisedimeve të pasuksesshme Rusi–Ukrainë dhe stërvitjeve ndërkombëtare të mbushura me pompozitet por jo përmbajtje moderne – apeli i Goxhajt tingëllon më aktual se kurrë.










