Trendy

Alarm nga FMN: Ekonomia e Maqedonisë përballë goditjeve të reja

Para 2 orë

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) paralajmëron se tronditja nga rritja e çmimeve të energjisë , e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, do të ndikojë në perspektivat ekonomike të Maqedonisë dhe do të riintensifikojë presionet inflacioniste. Me fjalë tjera, sipas vlerësimeve, një tronditje e tillë e jashtme mund të ngadalësojë rritjen ekonomike, të rrisë inflacionin dhe të përkeqësojë pozicionin e jashtëm të vendit, si dhe të rrisë presionin fiskal apo për shpenzime dhe borxhe të reja. FMN vlerësoi në përfundimin e misionit të tij se rritja ekonomike në vitin 2026 do të ngadalësohet në 3.1 për qind, nga 3.5 për qind vitin e kaluar, dhe inflacioni do të rritet në rreth 4.5 për qind, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe pasigurive globale, shkruan gazeta KOHA.

Fondi ka parashikuar rritje më të ulët ekonomike dhe inflacion më të lartë për ekonominë vendore, mes rreziqeve të jashtme në rritje dhe pasigurisë së vazhdueshme në tregjet globale. Sipas Fondit, rritja e çmimeve të energjisë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të ngadalësojnë ekonominë dhe t’i rrisin çmimet përsëri. Në të njëjtën kohë, vendi do të shpenzojë më shumë para për importet e energjisë, kështu që deficiti pritet të rritet në rreth 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se ekonomia e Maqedonisë po shënon rritje të fortë dhe ulje të inflacionit, por paralajmëroi për rreziqe të shtuara në periudhën e ardhshme.

Rritja arriti në 3.5 për qind në vitin 2025, e nxitur nga investimet dhe konsumi i fortë, ndërsa inflacioni u ul në 2.9 për qind në fillim të vitit 2026. FMN-ja mirëpret angazhimin e qeverisë për të ulur deficitin fiskal në 3.5 për qind të PBB-së deri në vitin 2026, por paralajmëron se pa reforma konkrete tatimore, deficiti mund të arrijë në 4.2 për qind të PBB-së. Analiza e qëndrueshmërisë së borxhit publik tregon rrezik të moderuar, duke rekomanduar uljen e tij nën 45 për qind të PBB-së deri në vitin 2035. “Arritja e objektivit buxhetor kërkon kontroll të shpenzimeve aktuale, veçanërisht pensioneve, pagave dhe kostove të mallrave dhe shërbimeve, si dhe uljen e përjashtimeve nga taksat e TVSH-së. Ndihma për qytetarët për shkak të krizës energjetike duhet të jetë e synuar, pasi subvencionet e përgjithshme janë joefektive. Ulja e përkohshme e TVSH-së duhet të hiqet gradualisht, ndërsa kategoritë vulnerabël duhet të mbështeten përmes mekanizmave ekzistues social”, tha FMN-ja.

Fondi rekomandon disiplinë fiskale më të rreptë, dhe reforma të vazhdueshme strukturore, veçanërisht në sektorin publik, energji dhe tregun e punës.

Sipas tyre, këto masa janë thelbësore për ruajtjen e rritjes së qëndrueshme, përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe afrimin e vendit me standardet ekonomike evropiane.

Shoku i çmimeve të energjisë dhe kërkesa e fortë e brendshme, sipas FMN-së, kërkojnë shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare. FMN-ja thekson se reformat strukturore – në gjyqësor, tregun e punës, menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe sektorin e energjisë, janë çelësi për rritjen e produktivitetit dhe të PBB-së.

Theks i veçantë i vihet sektorit të energjisë, ku humbjet nga Elektro Ekonomia dhe tarifat e subvencionuara nxjerrin në pah nevojën për qeverisje më të mirë, transparencë dhe përafrim gradual të çmimeve me kostot, me mbrojtje sociale për kategoritë vulnerabël.

Rritja reale e PBB-së parashikohet të ngadalësohet në 3.1 për qind në vitin 2026 dhe t’i afrohet nivelit të vlerësuar potencial prej 3 për qind në afat të mesëm. Sistemi financiar mbetet i qëndrueshëm, bankat janë të kapitalizuara mirë, likuide dhe fitimprurëse. Megjithatë, rritja e përshpejtuar e kreditimit, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, kërkon monitorim të ngushtë dhe masa të mundshme shtesë makroprudenciale apo të kujdesit më të madh për të forcuar rezervat e kapitalit.

Në të njëjtën kohë, një shtrëngim i politikës monetare është i nevojshëm për të kontrolluar inflacionin, si dhe një kontroll i rreptë mbi shpenzimet buxhetore. “Për shkak të shokut energjetik dhe kërkesës së fortë të brendshme, është i nevojshëm një shtrëngim shtesë i politikës monetare. Rekomandohet që normat e interesit të rriten dhe ankandet e bonove të thesarit të shndërrohen në ndarje të plotë për të thithur likuiditetin”, këshillon FMN-ja. (koha.mk)

Trending