Sot (23.02.2026) janë pranuar njoftime për vendosje të mjeteve shpërthyese në disa shkolla në Tetovë dhe Shkup, duke shkaktuar shqetësim te nxënësit, prindërit dhe stafi arsimor.
Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masa dhe aktivitete të menjëhershme sigurie, përfshirë kontrollimin e objekteve shkollore dhe sigurimin e perimetrit. Pas verifikimeve të kryera në terren, është konstatuar se bëhet fjalë për njoftime të rreme për bomba.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftojnë se Sektori për Krim Kompjuterik, në bashkëpunim me sektorin për terrorizëm dhe përmes Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, po zhvillon hetime intensive për të zbuluar pronarin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto mesazhe kërcënuese.
Autoritetet theksojnë se hetimet janë jashtëzakonisht komplekse dhe përfshijnë shkëmbim ndërkombëtar të informatave dhe mbështetje nga partnerë të huaj, me qëllim identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.
MPB apelon për qetësi dhe siguron opinionin publik se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit, si dhe për parandalimin e veprave të ngjashme penale në të ardhmen.








