BDI-së i kujtohen kërkesat e shqiptarëve vetëm kur janë në opozitë, ndërsa kur janë në pushtet mendjen e kanë te aferat korruptive. Kështu tha zv/kryetari i Tetovës Albi Qamili në TV21, duke debatuar për përgjegjësinë e BDI-së në mos zgjidhjen e çështjes së Provimit të Jurisprudencës gjatë 20 viteve sa ishte në pushtet.
“Pse kur e solli Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk e mori parasysh Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve? Pse nuk e rregulluan me akt nënligjor që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip? E kishin Krenar Llogën Ministër të Drejtësisë, Agim Nuhiun zv/ministër të Drejtësisë”, pyeti Qamili.
Ai theksoi se me gjithë atë pushtet që kishte, BDI-ja mund ta zgjidhte problemin e studentëve, por sipas tij, nuk e kishte mendjen te kërkesat e shqiptarëve por te aferat korruptive.
“Tani BDI derdh lot krokodili, por sa ishin në pushtet nuk i zgjidhën këto çështje, jo sepse nuk mundën, por sepse ishin të zënë me çështje të tjera, me afera korruptive”, tha Qamili.










