Trendy

Albulena Haxhiu kërkoi transferimin e pesë të dënuarve të “Kumanovës” – Maqedonia e Veriut nuk e pranoi kërkesën

Para 8 muaj

Ministrja në detyrë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë kërkesë zyrtare për transferimin e pesë të dënuarve të rastit “Kumanova” nga burgjet e Maqedonisë së Veriut në Kosovë.

Letra e Haxhiut, një faqe e gjysmë dhe me nënshkrim të datës 21 gusht 2024, i është drejtuar ministrit maqedonas të Drejtësisë, ku ndër të tjera shkruan:

“Nëpërmjet kësaj letre, unë shpreh gatishmërinë time që të pranoj të gjitha kërkesat nga qytetarët tanë që vuajnë dënimet në Republikën e Maqedonisë për transferimin në institucione korrektuese në Republikën e Kosovës në përputhje me Marrëveshjen e lartpërmendur.”

Kërkesa për transferim i përfshin pesë persona të dënuar për terrorizëm: Muhamet Krasniqi (i njohur si Andi Krasniqi, “Malisheva”), Bajram Elshani, Bek Bajra, Betim Kabashi, dhe Demë Shehu. Të dënuarit janë shtetas të Kosovës dhe të burgosur për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave, Kumanovë.

Haxhiu thekson se kërkesa mbështetet edhe në rekomandimin e Ambasadës së Kosovës në Shkup, për arsye shëndetësore dhe humanitare:

“Për më shumë, më lejoni të ju informojë se më 25.07.2024, ne kemi marrë një njoftim nga ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, me anë të së cilit, ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, rekomandon ministrinë e Drejtësisë në Kosovës që të nisë procedurat për transferimin e këtyre dy të burgosurve për arsye shëndetësore dhe humanitare për trajtim të mëtutjeshëm shëndetësor në Kosovë dhe të vuajnë dënimet e tyre në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen ndërshtetërore për vuajtjen e dënimeve për shtetasit respektivë të dy shteteve.”

Duke u mbështetur në Marrëveshjen për Transferimin e Personave të Dënuar të nënshkruar më 6 nëntor 2012 mes dy shteteve, ministrja i kërkon homologut që të shqyrtojë dokumentet:

“Për këtë, unë me mirësi kërkoj nga ju që të ekzaminoni dokumentet e bashkëngjitura, të cilat, sipas njoftimit, janë dërguar në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe bazuar në marrëveshjen e lartpërmendur, për të kërkuar nga autoritetet kompetente maqedonase që të shqyrtojnë kërkesën për transferim në Kosovë, ku rehabilitimi i tyre dhe rintegrimi do të ishin më të lehtë.”

Në përmbyllje të letrës, Haxhiu konfirmon qëndrimin zyrtar të Kosovës për bashkëpunim të mëtejshëm:

“Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës dëshiron të sigurojë Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut se do të vazhdojë bashkëpunimin e afërt në lidhje me rastet për transferimin e personave të dënuar dhe shfrytëzon mundësinë që edhe një herë t’i shpreh konsideratën më të lartë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.”

Pavarësisht kësaj kërkese zyrtare, transferimi nuk është realizuar dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë dhënë përgjigje pozitive deri në publikimin e këtij lajmi më 10 korrik 2025. Portali Paparaci ka kontaktuar ministritë për koment, por asnjëra nuk ka kthyer përgjigje pas më shumë se dy javësh pritjeje.

Trending