Trendy

Ali Ahmeti dhe VLEN, dy emra të një dështimi

Para 2 javë

Nga Baton Haxhiu

Ali Ahmeti e mbylli ciklin e tij politik duke e kthyer përfaqësimin në iluzion. VLEN po e varros atë që kishte mbetur, pa koncept, pa drejtim dhe pa përgjegjësi. Vitet e fundit nga Ali Ahmeti te VLEN, përfaqësimi shqiptar nuk u transformua, u zhduk.

Njëri ndërtoi narrativën e rreme të barazisë, VLEN e zbraz çdo përmbajtje të saj. Dhe sot, për herë të parë pas dekadash, shqiptarët nuk janë më faktor në shtet, por deshmi e një deshtimi politik që ka emra dhe mbiemra.

Deklarata e fundit e Ali Ahmetit për gjuhën shqipe nuk është thjesht një qëndrim politik i momentit. Është dëshmi e një rënieje të gjatë të nje koncepti që dikur quhej përfaqësim politik shqiptar.

Kur një lider që për vite me radhë ka ndërtuar legjitimitetin mbi arritjet e gjuhës dhe barazisë, sot del dhe thotë se gjuha shqipe nuk duhet të jetë arsye për destabilizim të shtetit, ndërkohë që përshëndet studentet që kërkojnë pikërisht atë që ai pretendonte se e kishte arritur, atëherë kemi të bejmë me një kontradiktë që nuk eshtë rastësi, por krizë.

Kjo tregon diçka shumë më të thellë. Çdo e drejtë gë nuk eshtë e ngulitur në Kushtetutë dhe në ligj, por është produkt i një marreveshjeje politike të përkohshme, është e destinuar të zhbëhet. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur me gjuhën shqipe. Ajo është trajtuar si kompromis politik, jo si e drejtë shtetformuese.

Sot, kur institucionet maqedonase fillojnë ta relativizojnë përdorimin e saj, kur kërkesa për barazi paraqitet si rrezik për stabilitetin, bëhet e qartë se ajo që është ndërtuar pa themel juridik të fortë, po rrënohet pa rezistencë politike.

Por problemi nuk qëndron vetëm te gjuha.Problemi është shumë më i madh.

Për herë të parë që nga viti 1991, shqiptarët nё Maqedoninë e Veriut nuk janë të perfaqësuar politikisht në qeveri. Edhe në periudhën kur nacionalizmi maqedonas ishte në kulm dhe shteti sapo formohej, Partia e Prosperitetit kishte mё shumë peshë politike sesa ajo që sot paragitet si perfaësim shqiptar.

VLEN nuk është produkt politik. Është një konstrukcion i përkohshëm individesh shqiptarë brenda një qeverie maqedonase.

Ata nuk kanë mandat për të përfaqësuar shqiptarët, nuk kanë platformë të qartë politike dhe nuk kanë as fuqinë për të ndikuar në vendimmarrje. Ata janë pjesë e qeverisë, por nuk janë pushtet. Janë të pranishëm, por nuk përfaqësojnë.

Kjo krijon një realitet të ri dhe të rrezikshëm. Shqiptarët nuk janë më faktor politik, por element i toleruar në strukturen e shtetit.

Dhe kjo ndodh në një moment kur VMRO dhe institucionet maqedonase po e gërryejnë në mënyrë të vazhdueshme idenë e një shteti multietnik. Nuk ka më perpjekje për balancë. Ka një rikthim të qartë te logjika e shtetit etnik, ku të drejtat e të tjerëve trajtohen si lëshime dhe jo si detyrime kushtetuese.

Pasojat janë të dukshme. Shqiptarët sot kanë mё pak fuqi politike, më pak ndikim ekonomik dhe më pak siguri institucionale sesa në çdo periudhë tjetër në shtetet në Ballkan.

Në një rajon ku edhe vendet me probleme të thella kanë bërë hapa përpara në përfshirjen e grupeve etnike, shqiptaret në Maqedoninë e Veriut po kthehen pas. Dhe kjo nuk është vetëm çështje e një qeverie. Është rezultat i një zbrazëtie të përfaqësimit politik shqiptar.

Kur politika shqiptare reduktohet në deklarata kontradiktore dhe në prani formale në institucione, atëherë humbet edhe kuptimi i përfaqësimit. Dhe kur përfaqësimi humbet, të drejtat fillojnë të zbehen.

Kjo është pika më e ulët e shqiptarëve në këtë shtet, sepse u mungojnë ligjet, por u mungon fuqia për t’i krijuar dhe mbrojtur ato. Dhe pa këtë fuqi, çdo e drejtë mbetet vetëm një kujtim politik.

Në fund të kësaj rënieje nuk ka më vend për iluzione. Ali Ahmeti e mbyll ciklin e tij politik me një manipulim të madh. Ai ndërtoi një narrativë se të drejtat janë fituar dhe janë të garantuara, ndërkohe qe në realitet ato mbetën të varura nga pazaret politike dhe jo të mbrojtura nga shteti.

Sot, kur vetë ai relativizon çështjen e gjuhës dhe e kthen në çështje stabiliteti, ai në fakt pranon dështimin e modelit që ndërtoi.

Nga ana tjetër, VLEN nuk është as alternativë dhe as korrigjim i këtij modeli. VLEN ka shërbyer si instrument për ta çuar këtë rënie deri në fund.

Pa koncept politik, pa identitet të qartë dhe pa përgjegjësi ndaj përfaqësimit shqiptar, ai është shndërruar në një platformë individesh që nuk përfaqësojnë interesin shqiptar, por shpesh herë një përzierje të paqartë të ndikimeve ideologjike, ku elementi i islamit politik hyn si zëvendësim i mungesës së vizionit.

Flamuri kombëtar përdoret si mbulesë, jo si bindje.

Kjo është tragjedia e sotme politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Njëra pale manipuloi duke premtuar siguri që nuk e institucionalizoi kurrë. Tjetra erdhi duke premtuar ndryshim dhe përfundoi duke e zbrazur edhe atë pak përfaqësim që kishte mbetur.

Dhe ndërkohë, shteti po ndryshon. Jo në favor të barazisë, por në drejtim të një rendi ku shqiptarët janë ё pak të dukshëm, më pak të dëgjuar dhe më pak të mbrojtur.

Kjo nuk është vetëm krizë politike. Kjo është humbje e drejtimit. Dhe pa një rikthim të fuqisë reale politike shqiptare, kjo humbje do të thellohet.

Trending