Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Në një reagim pas zhvillimeve politike në Kosovë, Ahmeti ka vlerësuar arritjen e një zgjidhjeje institucionale, duke e cilësuar atë si dëshmi të pjekurisë politike dhe përgjegjësisë shtetërore të autoriteteve të Kosovës.
“Me një vëmendje të veçantë, sonte përcolla pjekurinë politike dhe përgjegjësinë e lartë shtetërore të autoriteteve politike të Kosovës, të cilat arritën të gjejnë zgjidhje për krizën politike, duke shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare dhe duke zgjedhur në krye të shtetit Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se stabiliteti institucional, interesat e qytetarëve dhe interesi shtetëror duhet të jenë prioritet mbi interesat partiake.
Sipas Ahmetit, Kosova, si shteti më i ri i Evropës, është ndërtuar mbi sakrificën e qytetarëve të saj dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.
Ahmeti i ka drejtuar urime të veçanta presidentes së sapozgjedhur, duke i uruar sukses, urtësi dhe arritje në ushtrimin e detyrës së re.
“Presidente Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, urime për përgjegjësinë e re dhe detyrën e lartë shtetërore! Ju uroj shumë sukses, urtësi dhe arritje në ushtrimin e këtij misioni të rëndësishëm në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka deklaruar Ahmeti.
Në fund të mesazhit, kreu i BDI-së ka uruar Republikën e Kosovës, duke bërë thirrje për stabilitet, unitet dhe përgjegjësi në funksion të së ardhmes së brezave të rinj.











