Trendy

Ali Ahmeti viziton shtëpinë-bazë të UÇK-së në Peshter të Brusit

Para 2 muaj

Ali Ahmeti viziton shtëpinë-bazë të UÇK-së në Peshter të Brusit: Nderim për Nënë Stanen, Nënën e mbi 300 luftëtarëve

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka vizituar sot Peshterin e Brusit, në shtëpinë-bazë të luftës së armatosur çlirimtare të UÇK-së, duke bërë nderime në shtëpinë e Nënës së UÇK-së, Nënë Stane Pjetër Gashi.

Ahmeti u prit me ngrohtësi nga Nënë Stania, e cila në moshën 80-vjeçare vazhdon të mbetet simbol i sakrificës dhe përkushtimit gjatë luftës, së bashku me djemtë e saj, ish-ushtarët e UÇK-së Filip dhe Fatmir Gashi, si dhe vajzën File Gashi.

“Nëna Stane është lokemadhja e UÇK-së, nëna që gjatë luftës ka pritur dhe përcjellë mbi 300 luftëtarë, duke u dhënë bukë, duke u pastruar plagët dhe rrobat. Ajo qëndron e fortë edhe sot, si simbol i rezistencës dhe dashurisë për lirinë”, ka theksuar Ahmeti.

Gjatë vizitës, lideri i BDI-së i uroi Nënës Stane shëndet, jetë të gjatë e të lumtur, të rrethuar nga fëmijë, nipa dhe mbesa, duke vlerësuar rolin e saj historik në luftën çlirimtare.

Një moment i veçantë i vizitës ishte dhurata që Nënë Stania i bëri Ahmetit – librin “Nëna e mbi treqind luftëtarëve” të shkrimtarit Ibrahim Kadriu, të cilin ai e cilësoi si një nga dhuratat më të çmuara të jetës së tij.

Ahmeti e përshkroi vizitën si një emocion të jashtëzakonshëm, duke theksuar se ajo shtëpi historike ka qenë vend ku janë ushqyer dhe strehuar heronj e dëshmorë të kombit, ushtarë, komandantë dhe drejtues zonash e brigadash të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (INA)

Trending