Trendy

Aliti: Profesor Vlado Kambovski e ka gabim

Para 1 muaj

Anëtari i Këshillit të përgjithshëm të BDI-së, Faton Aliti ka komentuar qëndrimet e profesorit universitar Vlado Kambovskit se Provimi i jurisprudencës mund të jepet shqip, por duhet njohuri e përsosur e maqedonishtes.
Ja çfar shkruan Aliti:

Profesor Vlado Kambovski e ka gabim
Zgjidhja nuk është detyrimi i studentit (qytetarit) ta njohë patjetër maqedonishten apo shqipen.
Zgjidhja është përmbushja e detyrës së institucioneve të garantojnë qasje të barabartë, procedurë të kuptueshme dhe drejtësi të plotë për çdo qytetar.
Drejtësia nuk kërkon përshtatjen e qytetarit me institucionin. Drejtësia kërkon që institucioni t’i shërbejë qytetarit.

Problemi nuk është gjuha. Problemi është paaftësia e institucioneve.
Thelbi i çështjes është shumë i thjeshtë. Pala duhet ta ketë të drejtën ta zgjedhë vetë gjuhën e procedurës.
Pa këtë të drejtë, barazia në drejtësi mbetet vetëm deklarative.
Në një shtet demokratik, qytetari nuk duhet të detyrohet ta kërkojë drejtësinë në një gjuhë që nuk e zgjedh vetë. E drejta për ta përdorur gjuhën e tij në procedurë është pjesë e dinjitetit juridik dhe e qasjes së barabartë në drejtësi.

Dhe kjo e drejtë nuk duhet të mbështetet te përkthyesi si zgjidhje improvizuese, por te kapaciteti institucional.
Kambovski përpiqet ta paraqesë përdorimin e dy gjuhëve si rrezik për drejtësinë, ndërsa në realitet rrezik për drejtësinë është kur institucioni nuk arrin t’i përshtatet qytetarit.
Komisioni i Venedikut nuk thotë askund se qytetari duhet të heqë dorë nga e drejta e tij gjuhësore për hir të “komoditetit” të sistemit. Thot se për momentin nuk ka kapacitete për të zbatuar dygjuhësinë.
Standardi evropian kërkon që shteti të ndërtojë kapacitete profesionale që garantojnë edhe drejtësi, edhe barazi.

Nëse ekziston rrezik nga keqinterpretimi (si që thot Kambovski) atëherë zgjidhja nuk është kufizimi i shqipes, por ngritja e standardit profesional:
– gjykatës bilingualë,
– prokurorë bilingualë,
– procesverbalistë bilingualë,
– administratë bilinguale,
– terminologji juridike e standardizuar në të dy gjuhët (fjalor maqedonisht-shqip për terminologjinë juridike)

Nëse pala zgjedh maqedonishten si gjuhë të procedurës, atëherë funksionarët që e udhëheqin procedurën duhet ta njohin maqedonishten.
Nëse pala zgjedh shqipen, atëherë duhet ta njohin shqipen.
Përgjegjësia nuk bie mbi qytetarin që të përshtatet me institucionin, por mbi institucionin që t’i garantojë qytetarit qasje të barabartë në drejtësi.
Prandaj, funksionarët bilingualë jo vetëm që janë domosdoshmëri, por duhet të vlerësohen dhe të paguhen edhe më shumë për atë kapacitet profesional. Ata që janë monolingual duhet të paguhen më pak.
Barazia nuk është “hije” e drejtësisë.
Barazia është parakusht i saj.

Trending