Një institucion publik shëndetësor ka raportuar tetë raste për ndërhyrje kardiokirurgjikale të panevojshme te komisioni i brendshëm të formuar nga Ministria e Shëndetësisë, pas deklaratave skandaloze të kardiologut Saško Kedev se në vend kryhen operacione zemre për para edhe te pacientë që nuk kanë nevojë mjekësore. Komisioni i brendshëm do të mblidhet nesër dhe këto tetë raste do të jenë të parat që do të shqyrtohen, ndërsa komisioni ndërkombëtar do të fillojë punën sapo të përfundojë nënshkrimi i kontratave për angazhimin e ekspertëve.
“Tek komisioni i brendshëm janë dorëzuar dosjet mjekësore për tetë raste. Komisioni do t’i shqyrtojë të gjitha në detaje me qëllim të përcaktohet e vërteta bazuar në faktet mjekësore. Komisioni do të mblidhet nesër dhe këto dosje do të jenë rastet e para për të cilat do të veprohet. Si Ministri i Shëndetësisë krijuam menjëherë një komision të brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë. Detyra e tij është të përcaktojë faktet dhe të veprojë bazuar në provat mjekësore sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe rregullave metodologjike të sakta. Për anëtarët e komisionit ndërkombëtar procedura është në përfundim, duhet të përfundojë pjesa administrative dhe nënshkrimi i kontratave, që të mund të bëjmë publikisht emrat. Bëhet fjalë për emra të njohur ndërkombëtarisht nga Sllovenia, Italia dhe Austria,” tha sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe shtoi se ka kërkuar edhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme profesionale nga Dhoma e Mjekëve.
Ministri Aliu e quajti punën e komisioneve, e cila aktualisht është e fokusuar te ndërhyrjet kardiologjike dhe kardiovaskulare, “terapi për sistemin shëndetësor” dhe njoftoi se do të zgjerohet në të gjitha segmentet, duke theksuar se askush, qoftë nga shëndetësia publike apo private, nuk do të shpëtojë nga përgjegjësia dhe as nuk do të stigmatizohet padrejtësisht.
Përveç tetë rasteve të operacioneve të panevojshme të raportuara jo nga pacientët, por nga një institucion publik shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë raport tjetër ose ankesë nga të gjitha mjetet e disponueshme. Javën e kaluar autoritetet shëndetësore i ftuan të gjithë ata që dyshojnë të raportojnë rastet, edhe nëse nuk ruajnë dokumentacionin, pasi ai duhet të gjendet në arkivat e institucioneve shëndetësore.










