Ndër fituesit e çmimit ishte edhe ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel , e cila u nderua me shkallën më të lartë të Urdhrit si “Anëtare me Merita të Urdhrit”.
Vlerësim për 16 vjet autoritet drejtues
Juria e arsyetoi nderimin e 71-vjeçares me autoritetin e saj të pandërprerë drejtues në Evropë gjatë 16 viteve të saj si Kancelare dhe me rolin e saj për Traktatin e Lisbonës. Ish-Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso theksoi se Merkel është angazhuar në vazhdimësi për integrimin evropian dhe për vlerat e përbashkëta.
Merkel: Tre premtime të Evropës në rrezik
Pas marrjes së Urdhrit, Merkeli kujtoi në fjalimin e saj tre premtime që sipas saj përshkojnë si konstante “75 vitet e BE-së” – premtimin e paqes, premtimin e mirëqenies dhe atë të demokracisë. Por politikania gjermane i sheh të tria premtimet të kërcënuara.
Ajo tha se “sulmi barbar” i Rusisë ndaj Ukrainës ka treguar se premtimi i paqes nuk është i vetëkuptueshëm, por i brishtë. Merkel shtoi se SHBA sot nuk është më “shtyllë e sigurt” siç ishte dikur.
Për të siguruar mirëqenien, nevojitet qëndrueshmëri dhe sukses ekonomik. Duke iu referuar premtimit të demokracisë, ish-Kancelarja paralajmëroi se nuk mund të ketë liri pa demokraci.


Paralajmërim për mediat sociale dhe inteligjencën artificiale
Merkel sheh rreziqe të veçanta nga zhvillimi i shpejtë i mediave sociale – “ku faktet nuk janë më fakte”, ku gënjeshtrat bëhen të vërteta dhe ndjenjat përzihen me të vërtetat. Kjo përforcohet nga përdorimi gjithnjë e më i gjerë i inteligjencës artificiale. Merkeli bëri thirrje prandaj që të vazhdohet “rruga e rregullimit”, edhe nëse ndonjëherë bëhen gabime.
Fitues të tjerë të shquar
Së bashku me Merkelin u nderuan personalitete të tjera të shquara, ndër ta Presidenti ukrainas Wolodymyr Zelenski dhe ish-presidenti polak Lech Walesa, të cilët gjithashtu morën shkallën më të lartë të Urdhrit. Përveç disa politikanëve, në mesin e fituesve janë edhe shkencëtarë, sportistë dhe katër anëtarët e bandës U2.
Urdhri Evropian i Meritës u krijua në përvjetorin e 75-të të Deklaratës së Robert Schuman-it në maj 2025 dhe vlerëson personat që kanë dhënë kontribut në integrimin evropian ose në nxitjen dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE./DW/










