Qendra Humanitare dhe e Ndihmës Mbreti Salman (KSrelief) ka nënshkruar një program bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës për përkujdesjen ndaj 700 fëmijëve jetimë në Kosovë.
Sipas Agjencisë Saudite të Shtypit, projekti do të zbatohet në 29 komuna dhe parasheh mbështetje financiare mujore për fëmijët, si dhe shpërndarjen e çantave shkollore dhe veshjeve dimërore. Në kuadër të programit do të organizohen edhe aktivitete dhe udhëtime rekreative.
Synimi është që familjeve që kujdesen për fëmijët jetimë t’u lehtësohen shpenzimet e jetesës dhe të mbështeten në përmbushjen e nevojave bazë, përfshirë ushqimin, strehimin, kujdesin shëndetësor dhe arsimimin.
Marrëveshja është nënshkruar në Riad nga ndihmësmbikëqyrësi i përgjithshëm i KSrelief për Operacione dhe Programe, Ahmed Al-Baiz.
Në të njëjtën kohë, organizata saudite ka nënshkruar edhe një program emergjent për Gazën, në bashkëpunim me Qendrën Saudite për Kulturë dhe Trashëgimi. Nga ky projekt do të përfitojnë drejtpërdrejt 1 mijë e 500 fëmijë jetimë, ndërsa rreth 4 mijë e 500 familjarë dhe kujdestarë pritet të përfitojnë në mënyrë indirekte.
Për fëmijët në Gaza janë paraparë pagesa mujore prej 100 dollarësh, veshmbathje, çanta dhe materiale shkollore, lodra dhe aktivitete rekreative.
KSrelief po vazhdon gjithashtu operacionet humanitare në Gaza me furnizim me ujë të pijshëm, ushqim dhe strehim. Sipas të dhënave të organizatës, brenda një dite janë shpërndarë 500 mijë litra ujë dhe 25 mijë shujta të ngrohta për grupet më të cenueshme në pjesën qendrore dhe jugore të Gazës.
Që nga viti 2015, KSrelief thotë se ka realizuar 4 mijë e 463 projekte në 113 shtete, me vlerë të përgjithshme prej afro 8.6 miliardë dollarësh.











