Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj koalicionit opozitar VLEN, pas qëndrimit të këtij të fundit në mbrojtje të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas Ademit, ka pasur rol aktiv në përpjekjet për të goditur gjuhën shqipe dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Në një postim të publikuar në rrjete sociale, Ademi ka shkruar:
“E pabesueshme sa fort e ka zënë për fyti VMRO-ja ‘Vlen’-in!”
Ai kritikon faktin që VLEN mbron një funksionar të lartë institucional, të cilin e akuzon për qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve:
“Të dalin e ta mbrojnë me aq zell kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, i cili më 11 dhjetor kishte përgatitur një referat prej 75 faqesh për të masakruar gjuhën shqipe, dhe të na e shesin si ‘gardian’ të multietnicitetit… është thjesht e turpshme!”
Ademi kujton se i njëjti person kishte vepruar më herët në dëm të parimeve të barazisë:
“Ky person është i njëjti që në mënyrë antikushtetuese sulmoi Marrëveshjen e Ohrit dhe rrëzoi përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Ama VLEN-i nuk lejon as që të diskutohet në Kuvend për të.”
Në përmbyllje, ai ironizon heshtjen politike dhe sugjeron se shqiptarët po mbrohen më shumë nga të tjerët sesa nga përfaqësuesit e vet:
“Si thoni? Të rrijmë rehat?! Shqiptarët nuk janë vetëm, për ta kujdeset Stoillkoviqi dhe ‘bota serbe’… ”
Në post-scriptum, Ademi përmend edhe shembullin e mosrespektimit institucional të gjuhës shqipe:
“P.S. ja si e respekton gjuhën shqipe njeriu dhe institucioni që duhet të kujdeset për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.”
Ky reagim vjen në një kohë të tensionuar për marrëdhëniet politike mes partive shqiptare, në sfondin e raportit të BE-së, kontestimeve për legjitimitet etnik të qeverisë së re, dhe rikthimit të debatit mbi përdorimin zyrtar të shqipes në institucionet më të larta të shtetit.










