Ndeshja e Ligës së Kampionëve mes Leipzig dhe Aston Villa ishte shumë emocionuese. Ajo u vendos 5 minuta para fundit, me golin e Ros Barkli që i dha fitoren 3-2 skuadrës së Emerit, e cila tani ka 13 pikë (Liverpulli është i pari me 18 pikë), mirë e pozicionuar për kualifikimin direkt në 1/8 finale.
Sidoqoftë, emocionet nuk u shuan me bilbilin e fundit të arbitrit, që ishte italiani Maurizio Mariani. Pamjet treguan njërin nga dy ndihmësit e tij, bashkatdhetarin Alessandro Giallatini, duke shpërthyer në lot ndërsa po dilte nga fusha e lojës së “Red Bull Arena”.
Në atë moment, me një gjest të madh empatie, trajneri i Leipzig, Marco Rose, edhe pse i mundur dhe me situatë mjaft negative (skuadra e tij ka 0 pikë pas 6 ndeshjesh), iu afrua Giallatinit për ta ngushëlluar dhe përqafuar.
“Ishte ndeshja e tij e fundit, prandaj ishte kaq i emocionuar”, – tha më pas Rose, pas ndeshjes.
Ndeshja sapo kishte përfunduar, futbollistët e të dyja skuadrave dhe anëtarët e stafeve po shtrëngonin duart, para se të ktheheshin në dhomat e zhveshjes, kur kamerat zbuluan një burrë në lot, i pushtuar nga emocionet, që në atë moment nuk mundi t’i kontrollonte.
Giallatini ishte në ndeshjen e tij të fundit të një karriere të gjatë, të mbushur me suksese, që e ka parë, ndër të tjera, të bëjë pjesë në ekipin arbitral me Orsato si arbitër kryesor; që në vitin 2020 drejtoi finalen e Ligës së Kampionëve mes Bajern Munihut dhe PSZH-së.
Asistenti Giallatini ishte tejet i emocionuar pas ndeshjes në “Red Bull Arena”. 49-vjeçari romak nuk i mbajti dot lotët, duke rishikuar gjithë mijëra flamujt që ka ngritur për shumë vite në shërbim të futbollit italian dhe ndërkombëtar.
Giallatini debutoi në Serie A më 1 nëntor 2009, në ndeshjen Kaliari-Atalanta, pastaj u bë ndihmës ndërkombëtar në janar të vitit 2013, duke u dalluar si një nga më të mirët në një profesion që me ardhjen e VAR ka ndryshuar thelbësisht, duke kërkuar më shumë gatishmëri për të menduar dhe vepruar shpejt, si dhe njohuri të thella të lojës.
Rekordi i tij përfundimtar në nivelin ndërkombëtar përfshin 31 ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe 11 në Ligën e Europës, si dhe 3 ndeshje në Kupën e Botës 2022 dhe 4 në “Euro 2024”.
Trajneri i Leipzig zbuloi për mediat: “Ishte ndeshja e tij e fundit, shpresoj të jetë i lumtur me karrierën si arbitër. Një histori e bukur, një histori njerëzore”.