Gjykata ka pranuar propozimin e Prokurorisë dhe i ka shqiptuar 30 ditë paraburgim 29 vjeçarit djalit të Bajrush Sejdiut nga Kumanova, pasi sipas Prokurorisë dhe Policisë, ai bashkë me disa persona ende të paidentifikuara, dyshohet të jenë pronarë të një sasie të madhe të armatimit, të kapur më 18 dhjetor të këtij viti, shkruan Alsat.
Armatimi, ishte gjetur përskaj aksit rrugor, në afërsi të një shtylle plastike për sinjalizim, e cila kishte qenë e shenjëzuar me kanaçe. Armatimi i kapur, është i ndaluar për persona civil dhe për të njëjtin nuk mund të merret leje.
“Më 18 dhjetor 2024 në territorin e Komunës së Haraçinës, përskaj rrugës lokale nga fshati Orllancë drejt fshatit Nikushtak, janë gjetur nëntë pushkë automatike, një pushkë mitraloz dhe sasi e madhe e municionit. Pas ndërmarrjes së masave dhe aktivitete, por edhe kryerjes së ekspertizave në Sektorin e Forenzikës, është konstatuar se armatimi është i 29-vjeçarit me iniciale H.S. nga Kumanova, i cili është arrestuar në Pikën Kufitare Bllacë e Poshtme”, thonw nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga Prokuroria, shtojnë se janë siguruar gjurmë që tregojnë përfshirjen e personave të tjerë.
“Me këtë, i dyshuari ka kryer vepër penale Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim të paautorizuar të armëve ose lëndëve shpërthyese sipas nenit 396, paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 3 të Kodit Penal. Janë siguruar prova materiale të cilat tregojnë se ai ka pasur bashkëpjesëmarrës, kështu që i dyshuari mund të ndikojë tek ata nëse mbrohet në liri”, u shprehwn nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Kodi Penal, për veprën që i ngarkohet të dyshuarit parashikon dënim me burg me së paku tetë vite.
Nga Prokuroria, sqarojnë se lënda nuk lidhet me aksionin paraprak kundër grupit kriminal Bellanoca-Baron./ Alsat.mk