Trendy

Armëpushimi me Iranin, Netanyahu dhe JD Vance bisedë telefonike mes tyre

Para 1 orë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku diskutuan përpjekjet për të rifilluar negociatat mes SHBA-së dhe Iranit.

Sipas raportimit të kanalit izraelit Channel 12, dy liderët analizuan elementët e mundshëm të një marrëveshjeje të re, me fokus në uljen e tensioneve dhe menaxhimin e konfliktit aktual me Iranin.

Diskutimi u përqendrua në opsionet diplomatike për të adresuar programin bërthamor iranian, në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump ka sinjalizuar gatishmëri për negociata, por edhe mundësi për masa alternative në rast dështimi të tyre.

Zhvillimet e fundit kanë pasur ndikim edhe në tregjet financiare, ku aksionet amerikane shënuan rritje pas raportimeve për një mundësi të re dialogu.

Më herët, presidenti Trump deklaroi se Irani ka një “shans të fundit” për të arritur paqe, duke theksuar rëndësinë e një zgjidhjeje përmes negociatave.

Trump tha se SHBA-të po punojnë për të parë nëse mund të arrihet një “marrëveshje më e gjerë”.

Ai theksoi se “gjithë jeta ime ka qenë negociata, por me Iranin kemi negociuar prej kohësh”.  Këtë herë, sipas tij, “ata e kanë seriozisht”.

Presidenti pretendoi se Irani ka pranuar se nuk do të ketë armë bërthamore. Ai përsëriti se një pjesë e madhe e udhëheqjes iraniane është eliminuar që nga fillimi i konfliktit.

Trump deklaroi se Irani ka “një shans të fundit” për paqe, pa dhënë detaje të mëtejshme se me kë po negociohet.

“Shpresojmë ta shfrytëzojnë këtë shans. Në çdo rast, Amerika dhe e gjithë bota do të jenë shumë më të sigurta, dhe planeti do të jetë shumë më i sigurt”, tha Trump.

Trending