Trendy

Arrestimi i Imamit, reagon Myftinia e BFI-së Strugë

Para 3 orë

Gjatë një bastisjeje policore në fshatin Podgorcë të Strugës, është arrestuar imami Demir Ravmanovski, ku policia në shtëpinë e tij kane gjetur marihuanë dhe plumba të kalibrave të ndryshëm, përcjell tetova1

D.I.ishte i angazhuar si imam në fshatin Dollogozhdë nga ana e Myftinisë Strugë.

Pas arrestimit, Myftinia e BFI-së Strugë ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke sqaruar rrethanat e angazhimit të tij.

Reagimi i plotë i Myftinisë së BFI-së Strugë:

“DEKLARATË ZYRTARE

Myftinia e BFI-së Strugë

Në lidhje me raportimet e publikuara në media për arrestimin e personit D.R, Myftinia e BFI-së Strugë informon opinionin publik me përgjegjësi të plotë dhe transparencë institucionale:
1. Personi në fjalë ka qenë i angazhuar si imam në mënyrë të përkohshme dhe të kufizuar në kohë në fshatin Dollogozhdë, për periudhën 16 janar 2026 deri më 26 janar 2026.
2. Ky angazhim ka pasur karakter funksional dhe kalimtar, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së faljes së namazeve, pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga përfaqësuesit lokalë të xhamisë.
3. Me datën 26 janar 2026, angazhimi i tij ka përfunduar zyrtarisht dhe nga ajo datë ai nuk ka ushtruar dhe nuk ushtron asnjë funksion apo mandat në kuadër të Myftinisë së BFI-së Strugë.

Si institucion fetar, Myftinia e BFI-së Strugë nuk posedon kompetenca hetimore dhe nuk ka qasje në evidenca penale përtej atyre që komunikohen zyrtarisht nga organet shtetërore. Përgjegjësia për veprime eventuale të kundërligjshme është individuale dhe personale, dhe nuk mund të transferohet mbi institucionin.

Çdo përpjekje për të krijuar ndërlidhje institucionale në këtë rast është e pabazuar dhe nuk mbështetet në fakte objektive.

Myftinia e BFI-së Strugë është institucion me traditë dhe integritet, i ndërtuar mbi parime morale, përgjegjësi dhe respekt ndaj ligjit. Ne veprojmë mbi bazën e informacioneve zyrtare dhe reagojmë menjëherë sapo paraqiten rrethana që kërkojnë veprim institucional.

Shprehim besim të plotë në organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë dhe objektive të rastit.

Njëkohësisht, shprehim keqardhje që titulli i nderuar “Imam” përmendet në kontekste të tilla. Ky është një amanet shpirtëror dhe moral, dhe veprimet e mundshme të një individi nuk përfaqësojnë institucionin dhe as misionin e imamëve që me përkushtim i shërbejnë komunitetit.

Myftinia e BFI-së Strugë mbetet e palëkundur në mbrojtje të integritetit institucional dhe të dinjitetit të besimtarëve”, përfundojnë nga Myftinia e BFI-së Strugë./tetova1.mk

Trending