I arrestuari, ish-zëvendëskryeministër nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubi, i akuzuar për përvetësim mbi tetë milionë euro në rastin “Lotaria Shtetërore”, sot në mëngjes rreth orës 6 është dorëzuar në pikën kufitare Bllacë, pas çka është dërguar menjëherë në paraburgim në burgun e Shutkës në Shkup, shkruan Lider.mk
Ai është vendosur në një dhomë me vetëm një të paraburgosur tjetër, maqedonas, për arsye sigurie, ndërsa para qelisë së tij ka sigurim të posaçëm 24-orësh. Nga burgu “Shkup” në Shutkë kanë deklaruar për SakamDakamKazham se para kontrollit të detyrueshëm mjekësor, Grubi është pyetur nëse ndihet i pasigurt nga ndonjë person në paraburgim. “Personi i paraburgosur Artan Grubi u përgjigj se nuk ndihet i sigurt. Në pyetjen konkrete nga kush, ai na tha se praktikisht nga të gjithë, sepse siç u shpreh, ‘edhe vetë e shihni, gjithçka është kundër meje dhe të gjithë janë kundër meje’.
Në pyetjen shtesë theksoi se ndihet i pasigurt nga disa persona me përkatësi etnike shqiptare, për të cilët kishte dijeni se ndodhen në paraburgim në këtë burg, prandaj është vendosur me një bashkëdhomës maqedonas. Persona të tjerë nuk do të ketë në atë dhomë”, kanë theksuar shërbimet e sigurisë.





