Trendy

Asani: Ish-ministrat shqiptarë lanë jashtë shqipen nga Ligji për Jurisprudencë, dëm për studentët dhe juristët

Para 2 orë

Avokati Miralem Asani, në një intervistë për televizionin Alsat, ka drejtuar akuza ndaj ish ministrave dhe zëvendësministrave shqiptarë të Drejtësisë. Sipas tij, neglizhenca e tyre ka bërë që gjuha shqipe të mos përfshihet në Ligjin për Jurisprudencë, duke krijuar barriera të panevojshme për studentët dhe juristët shqiptarë. Asani sqaroi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve hyri në fuqi më 14 janar 2019, ndërsa Ligji për Provimin e Jurisprudencës u miratua tetë muaj më vonë, në shtator të po atij viti. Sipas tij, kjo ishte koha kur zyrtarët shqiptarë duhej të ishin më të kujdesshëm.

“Është dashur që një nen të ketë edhe për gjuhët, shembull, provimi i jurisprudencës mund të jetë në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën e së paku 20 përqindëshit, ashtu siç është në kushtetutë edhe në ligjin e përdorimit të gjuhëve,” tha Miralem Asani, avokat.

Për juristin Asani, nuk ka asnjë pengesë kushtetuese që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe. Ai thekson se parimi “çfarë nuk ndalohet me ligj, lejohet” duhet të zbatohet, por aktualisht mungon vullneti politik. Megjithatë, ai dha sinjale optimiste se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti dhe se përpos jurisprudencës, shqipja do të zbatohet edhe tek ligji për avokati, noteri dhe ligji për përmbaruesit.

“Unë mendoj se këtu kemi të bëjmë me mungesë të vullnetit politik dhe besoj se pas rrjedhjeve të fundit, sinjaleve që pushteti i jep besoj se edhe kjo do të ketë një zgjidhje. Nëse ligji i provimit të jurisprudencës pëson ndryshime në realitet, inkorporohet gjuha shqipe, patjetër të inkorporohet edhe ligji mbi avokati, mbi noteri, mbi përmbaruesit, mbi ndërmjetësuesit dhe kështu me radhë,” deklaroi Miralem Asani, avokat.

Gjatë intervistës, Asani preku edhe çështjen e ndjeshme të definimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë. Ai argumenton se Maqedonia e Veriut ende nuk ka një ligj ku gjuha shqipe emërtohet pastër si e tillë, por mbetet e definuar përmes përqindjeve. /Alsat.mk

Trending