Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, njoftoi se sot partia e tij ka zgjedhur Halil Snopçen për shef shtabi për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor, raporton Telegrafi Maqedoni.
“Sot e kishim seancën e radhës së ASH-së, në të cilën zgjodhën shefin e shtabit për zgjedhjet lokale. Shef shtabi u zgjodh Halil Snopçe, njëherit edhe deputeti. Ndërsa dy zëvendës të shtabit qendror u zgjodhën dy deputetë të tjerë Sadik Sulejmani dhe Rijad Shaqiri”, tha Taravari.
Ai shtoi se sot janë zgjedhur edhe koordinatorët e zonave zgjedhore.
“Në zonën zgjedhore numër 1 do të jetë Idriz Orana, në zonën 2 do të jetë nënkryetari Gëzim Kadriu, në zonën 3 do të jetë Bajram Aliu, në zonën 5 do të jetë nënkryetari Garip Kaba, në zonën 6 do të jetë nënkryetari Nazim Taipi”, njoftoi Taravari.
Po ashtu, janë zgjedhur edhe zëdhënësit e shtabit, të cilët janë Njomza Shaqiri dhe Viola Ramadani.
Taravari bëri të ditur se nga java e ardhshme do të fillojnë promovimin e kandidatëve për kryetar komunash.










