Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, ka pësuar një dështim të rëndë në zgjedhjet lokale të së dielës, duke mos arritur të fitojë asnjë komunë.
Rezultatet zgjedhore kanë treguar një rënie të ndjeshme të mbështetjes për këtë subjekt politik, që dikur konsiderohej faktor kyç në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Burime brenda partisë bëjnë të ditur se mbledhja e djeshme e strukturave të ASH-së është shndërruar në një përplasje të ashpër mes anëtarëve, ku nuk munguan as fyerjet dhe ofendimet me tone të larta. Disa nga pjesëmarrësit kanë akuzuar udhëheqësinë për strategji të gabuara, mungesë organizimi dhe përjashtim të figurave me përvojë nga fushata.
Ndërkohë, një numër ish-funksionarësh të ASH-së, të cilët garuan në këto zgjedhje, kanë pësuar humbje të thella, duke mos arritur as të sigurojnë votat e duhura për t’u rikthyer në skenën lokale, si në Gostivar e Vrapçisht ku nuk u arrit konsensusi. Kjo ka shkaktuar zhgënjim të madh brenda radhëve të partisë dhe ka hapur debate për të ardhmen politike të Arben Taravarit.
Ky rezultat mund të shënojë fundin e dominimit të ASH-së në disa zona tradicionale shqiptare dhe fillimin e një faze të re ristrukturimi brenda kampit opozitar shqiptar.










