Aleanca për Shqiptarët e prirë nga Ziadin Sela përmes një komunikate ka alarmuar se shumë fëmijë në Butel rrezikojnë të mbeten jashtë procesit mësimor.
“Sot u mbajt seanca e 9-të e Këshillit Komunal të Butelit, në të cilën u shqyrtuan gjithsej 18 pika të rendit të ditës. Si përfaqësuese e qytetarëve, e zgjedhur me votën e tyre, ngrita dy çështje thelbësore për interesin publik dhe kërkova përgjigje të qarta nga institucionet komunale. Çështja e parë kishte të bëjë me procesin e punësimeve në shkollat fillore në territorin e Komunës së Butelit. Kërkova sqarim nëse do të vazhdohet me kontratat ekzistuese apo do të hapen vende të reja pune. Po ashtu, theksova domosdoshmërinë që ky proces të jetë plotësisht transparent dhe i bazuar në meritë, duke kërkuar përgjigje të drejtpërdrejtë nëse punësimet do të realizohen përmes konkurseve të hapura apo do të ketë ndikime partiake.
Çështja e dytë kishte të bëjë me regjistrimin e fëmijëve në shkollat fillore dhe institucionet parashkollore. U ngrit shqetësimi për familjet që banojnë me qira, si dhe për ata qytetarë që nuk kanë të përfunduar procesin e legalizimit të pronave dhe për këtë arsye nuk pajisen me dokumentacion nga komuna. Në këto kushte, ekziston rreziku real që një numër fëmijësh të mbeten jashtë sistemit arsimor, gjë që është e papranueshme. Në diskutim u përfshi edhe këshilltari Linkest Lumani, i cili paraqiti raste konkrete të qytetarëve që përballen me këto pengesa”, thekson ASH.
Më tej nënvizohet se nga përfaqësuesit e komunës u deklarua se regjistrimi do të mundësohet vetëm për qytetarët që posedojnë kontrata afatgjata të qirasë ose dëshmi pronësie.
“Theksoj se e drejta për arsim është themelore dhe nuk guxon të kushtëzohet nga çështje administrative apo procedurale. Fëmijët nuk duhet të penalizohen për shkak të statusit të banimit të familjeve të tyre. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi dhe zgjidhje konkrete nga institucionet, duke qëndruar në krah të çdo qytetari dhe duke mos lejuar që asnjë fëmijë të mbetet jashtë të drejtave të tij themelore”, reagon Aleanca për Shqiptarët – Ziadin Sela. (INA)










