Trendy

Askush nuk e blen pallatin në Venecia, vrasje dhe vetëvrasje shënojnë historinë e ish-pronarëve

Para 2 javë

Në një vendndodhje privilegjuar në brigjet e Kanalit të Madh të Venecias, pallati historik Ca’ Dario shkëlqen mbi ujë që nga fundi i shekullit XV. Vetëm pak hapa larg koleksionit “Peggy Guggenheim”, ai përshkruhet si një perlë arkitekturore, por prej vitesh nuk gjen blerës. Arsyeja? Është cilësuar si “i mallkuar”, për shkak të vrasjeve, vetëvrasjeve dhe aksidenteve misterioze që lidhen me historinë e tij.

Ndërtesa mori emrin nga pronari i saj i parë, Giovanni Dario, një diplomat që u shpall hero pas nënshkrimit të një traktati paqeje me Perandorinë Osmane. Përgjatë shekujve, pallati ka strehuar aristokratë, tregtarë dhe madje edhe figura të elitës së muzikës rock britanike. Në vitin 1908 u pikturua nga Claude Monet gjatë udhëtimit të tij në Venecia dhe një vit më vonë u përmend nga Henry James në ditarin e tij të udhëtimeve “Italian Hours”.

Megjithatë, godina madhështore, me nëntë dhoma gjumi, tetë banjo dhe salla pritjeje të zbukuruara me afreske, ka rezultuar jashtëzakonisht e vështirë për t’u shitur, jo domosdoshmërisht për shkak të çmimit, i cili sipas burimeve arrin në rreth 17.024.900 euro.

Agjentët e pasurive të paluajtshme kanë pasur vështirësi të kapërcejnë reputacionin e saj si “pallati i mallkuar i Venecias”, për shkak të një sërë pronarësh dhe vizitorësh që gjetën një fund të parakohshëm, e në disa raste të dhunshëm, shkruan The Guardian.

Tashmë që është restauruar, përpjekjet për shitjen e tij janë rindezur, me Christie’s dhe Engel & Völkers që kanë marrë përsipër sfidën. Christie’s e përshkruan ndërtesën si një “perlë arkitekturore” me harqe gotike, llambadarë antikë Murano dhe një tarracë me lozhë, duke theksuar gjithashtu se ndodhet në një lagje “të qetë” të Venecias, larg turmave turistike.

Vrasje, vetëvrasje dhe aksidente

Ajo që nuk përmendet në fushatat promovuese janë historitë tragjike që kanë ushqyer legjendat lokale për mallkimin e pallatit. Sipas këtyre rrëfimeve, Ca’ Dario lidhet me të paktën shtatë vdekje, më e tmerrshmja prej të cilave ndodhi në vitin 1970, kur pronari i atëhershëm, konti Filippo Giordano Delle Lanze, u vra brenda mureve të pallatit nga partneri i tij, një marinar që u arratis në Londër dhe më vonë u vra edhe vetë.

Një vit më pas, prona u ble nga Kit Lambert, menaxheri i grupit The Who. Edhe pse ai pretendonte se nuk e shqetësonte fama e mallkimit, thuhet se u kishte thënë miqve se flinte diku tjetër për t’i shpëtuar “fantazmave”. Banorët vendas ia atribuuan mallkimit rënien e tij në varësinë nga droga, problemet financiare dhe vdekjen e tij në Londër në vitin 1981, pas një rënieje nga shkallët.

Në vitet 1980, pallati u ble nga italiani Raul Gardini, i cili u përfshi në një skandal të madh korrupsioni dhe kreu vetëvrasje në Milano në vitin 1993.

Legjendat thonë gjithashtu se pallati sjell fatkeqësi edhe për ata që thjesht i afrohen ose kalojnë pushime aty. Tenori i famshëm i operës, Mario Del Monaco, kishte planifikuar ta blinte pronën në vitin 1964, por ndryshoi mendje pas një aksidenti të rëndë automobilistik gjatë rrugës për ta vizituar. John Entwistle, basisti i The Who, vdiq në SHBA në vitin 2002, vetëm një javë pasi e kishte marrë pallatin me qira.

Pas kësaj, ndërtesa mbeti kryesisht e braktisur. Edhe pse tërhoqi interesin e disa blerësve potencialë të impresionuar nga arkitektura, mes tyre thuhet se ishte edhe Woody Allen, ata u dekurajuan nga “aura” e saj.

Në vitin 2006, godina u ble nga një kompani amerikane në emër të pronarit aktual, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Fakti që pallati ka mbetur bosh që atëherë, ka forcuar edhe më shumë thashethemet.

“Venecianëve u pëlqen të tregojnë histori”

Arnaldo Fusello, drejtor i përgjithshëm i Christie’s në Venecia, tha se venecianëve u pëlqen të tregojnë histori interesante, sidomos për turistët, “për shembull, gondolieri që kalon para pallatit”, siç u shpreh ai. Ai përmendi gjithashtu “qindra” banorë që kanë jetuar deri në moshë të thyer në pallat ndër shekuj, përfshirë edhe vetë Dario-n, i cili vdiq nga shkaqe natyrore në moshën 80-vjeçare.

Historiani venecian Davide Busato tha se thashethemet nisën në vitet 1970, por u përhapën gjerësisht pas vetëvrasjes së Gardini-t. “Venecianëve u pëlqen të tregojnë histori dhe është krejtësisht normale që t’i ekzagjerojnë ato”, tha ai, duke e krahasuar rastin me ishullin Poveglia, një ishull i braktisur në lagunën e Venecias, i famshëm për legjendat e fantazmave.

Sipas Busato-s, venecianët janë në përgjithësi realistë dhe zakonisht nuk ndikohen nga bestytnitë, “por u pëlqen të befasojnë njerëzit, sidomos ata që vijnë nga jashtë”.

Ai shtoi se Venecia është plot me ndërtesa historike ku kanë ndodhur vrasje dhe vetëvrasje dhe që sot funksionojnë si hotele luksoze.

Nga ana e tij, Fusello shprehet i bindur se pallati do ta kapërcejë famën e tij ogurzezë dhe do të shitet. Ai tha se deri tani ka pasur “interes të madh”, si nga italianë ashtu edhe nga të huaj. “Ky është një vend ku historia jeton”, u shpreh ai. “Dhe nëse doni të jetoni historinë, ky është shtëpia perfekte, me kusht që blerësi të angazhohet për ta mbajtur gjallë këtë pronë”.

Trending