Trendy

Avokati i Popullit kërkon që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në shqip, studentët paralajmërojnë protesta të reja

Para 1 orë

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mund të rikthehen në protesta nëse nuk realizohet kërkesa e tyre që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

Avokati i Popullit, Faton Selami, ka konfirmuar se institucioni që ai drejton ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ai ka bërë të ditur se i është drejtuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me kërkesë për harmonizimin e ligjeve, në mënyrë që studentët shqiptarë të kenë mundësi ta japin provimin e jurisprudencës, si dhe provimet për noterë dhe përmbarues, në gjuhën e tyre amtare.

Sipas Selamit, Avokati i Popullit ka hapur lëndë me vetiniciativë për këtë çështje, duke e vlerësuar atë si një problem me rëndësi të veçantë për respektimin e të drejtave gjuhësore.

Ai bëri të ditur se nga Qeveria ka marrë përgjigje se është formuar një grup pune i ekspertëve, i cili po shqyrton mundësitë juridike dhe po përgatit një propozim për zgjidhjen e kësaj problematike. Selami pret që në ditët në vijim të ketë propozime konkrete.

Studentët shqiptarë kanë protestuar dy herë për këtë kërkesë, duke argumentuar se pasi studimet universitare i kanë ndjekur në gjuhën shqipe, është e drejtë që edhe provimi profesional i jurisprudencës të mbahet në të njëjtën gjuhë. Ata kanë paralajmëruar se, nëse nuk ka zgjidhje institucionale, protestat mund të vazhdojnë.

Selami u ndal edhe te çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në vend, duke theksuar se ajo mbetet një temë e ndjeshme në Maqedoninë e Veriut, si shtet shumëgjuhësh. Ai njoftoi gjithashtu se institucioni i tij po trajton edhe çështjen e ndryshimit të emrave të rrugëve në Tetovë, e cila ka shkaktuar reagime dhe tensione në komunat me shumicë shqiptare.

Trending