Trendy

Avokati i Popullit ngrit shqetësime serioze për trajtimin e femicidit dhe dhunës ndaj grave nga institucionet!

Para 1 orë

Avokati i Popullit, duke vepruar ndaj lëndëve të femicidit, konstatoi lëshime në reagimin institucional, prandaj është e nevojshme të sigurohet parandalimi dhe trajtimi i koordinuar sistemor i familjeve me sjellje të rrezikshme, si dhe vendosja e mekanizmave që mundësojnë ndërhyrjen dhe mbrojtjen e hershme të fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, madje edhe kur viktima formalisht nuk parashtron denoncim – theksoi sot Avokati i Popullit Faton Selami.

Në konferencë për media me rastin e raportit vjetor për gjendjen e lirive dhe të drejtave të njeriut për vitin 2025, i cili u dorëzua sot në Kuvend, Selami paralajmëroi se mbrojtja është hallka më e dobët në trajtimin e dhunës në familje, duke theksuar se viktima pas denoncimit duhet të jetë e sigurt se shteti i garanton asaj sigurinë në vend që të detyrohet të kthehet tek të afërmit e saj, duke i bërë edhe ata viktima potenciale.

Gjatë analizimit të rastit konkret të femicidit, Selami vuri në dukje se është konstatuar se Qendra për Punë Sociale nuk kishte fare njohuri për problemet në familje, ndërsa policia veproi vonë duke kërkuar denoncim formal personalisht nga viktima.

Selami theksoi se ndonëse në gjysmën e dytë të vitit 2025 institucioni i Avokatit të Popullit funksiononte pa titullar, veprimtari themelore për mbrojtjen e qytetarëve ka vazhduar normalisht. Sipas të dhënave statistikore, janë trajtuar gjithsej 2.921 ankesa, nga të cilat 2.400 janë pranuar gjatë vitit.

“Në vend të parë është gjyqësori me 307 parashtresa ose 12,79 për qind, pasojnë ankesat për të drejtat konsumatore, me 264 parashtresa ose 11 për qind, nga marrëdhëniet e punës 219 ankesa ose 9.13 për qind dhe në fushën e të drejtave të fëmijëve 189 ose 8.25 për qind”, saktësoi Selami.

U përqendrua edhe në mjedisin jetësor dhe incidentet ekologjike që ndodhën në vend vitin e kaluar, duke theksuar se në fushën e mjedisit jetësor është shënuar rritje më e madhe e numrit të parashtresave. Qytetarët reaguan ndaj ajrit jashtëzakonisht të ndotur dhe incidenteve ekologjike, siç janë zjarret në deponi dhe sasitë e mëdha të mbeturinave plastike.

“Mbrojtja e mjedisit jetësor mbetet një nga sfidat kryesore në punën tonë. Për arsye se, ndonëse shteti është i detyruar t’u sigurojë të gjithëve të drejtën e garantuar me kushtetutë për mjedis të shëndetshëm dhe të pastër jetësorë, megjithatë edhe vitin e kaluar kemi pasur ajër jashtëzakonisht të ndotur në qytetet më të mëdha në shtet. Si pasojë e menaxhimit të keq të mbeturinave, janë djegur edhe deponi, të cilat edhe ashtu janë jashtë të gjitha standardeve ekologjike. Me këtë rast, dua t’ju informoj se pilërisht në fushën e mjedisit jetësor shënojmë rritjen më të madhe të numrit të parashtresave”, theksoi Selami.

Institucioni ka konstatuar se organet kompetente përgjigjen në mënyrë joadekuate ndaj ankesave dhe ia kalojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit.

Përveç kësaj, shprehet Selami, është shqetësuese që në vend janë lëshuar vetëm dy leje të integruara ekologjike për hedhjen e mbeturinave, edhe atë për “Drisllën” dhe një për veprimtari komunale, e nuk ka fare leje për mbeturina të rrezikshme dhe inerte.

“Shqetësuese është se në vend janë lëshuar vetëm dy leje për hedhjen e mbeturinave, përkatësisht një leje e integruar ekologjike për deponinë “Drislla” – Shkup dhe një leje të integruar ekologjike për veprimtari komunale. Përveç kësaj, nuk janë lëshuar leje për deponi për mbeturinat e rrezikshme ose mbeturinat inerte, ndërsa nga dy deponitë që posedojnë leje të integruara ekologjike nuk ka paraqitur njoftime të dorëzuara me shkrim për ndikimet negative mbi mjedisin jetësor”, tha avokati i popullit.

Duke iu referuar zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Selami theksoi se mbi 70 për qind e qendrave të votimit ishin të paarritshme për personat me aftësi të kufizuara, me paravane dhe kuti joadekuate votimi të vendosura shumë lartë për personat me karroca invalidore, ndërsa Shabllonet e Brajit janë përdorur për shkak të mostrajnimit të këshillave.

Avokati i Popullit gjithashtu vuri në dukje se janë evidentuar raste të pasivitetit institucional në fushën e mbrojtjes sociale dhe administratës, duke theksuar disa shembuj të qytetarëve që përballen me “absurditet burokratik”.

“Kemi pasur rast kur nëna, edhe pse në mënyrë të rregullt dhe me kohë dorëzoi dokumente për realizimin e së drejtës për ndihmë financiare të njëhershme për një foshnjë të porsalindur, edhe pse kërkesa e saj është pranuar nga Qendra për Punë Sociale – Dellçevë, për pagesë ka pritur gjysmë viti. Përgjigja e Ministrisë dhe Qendrës për Punë Sociale – Dellçevë ishte absurde. Bëhej fjalë për problem teknik i pretenduar në sistem gjatë pagesës së mjeteve, respektivisht moslidhja e numrit social me llogarinë e transaksionit bankar, diçka që pala nuk duhet ta tolerojë në asnjë mënyrë”, tha Selami.

Trending