Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ “i pavarur dhe i paanshëm” dhe se vendimet e tyre duhet të respektohen. Por kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur avokati i Hashim Thaçit, Luka Mišetić, i cili ka vënë në pikëpyetje të drejtën e Kos-it për të dhënë një përfundim të tillë mbi paanshmërinë e gjykatës.
“Ende mbetet për t’u përcaktuar nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e z. Thaçi. Nuk i takon Marta Kos-it ta paragjykojë këtë çështje”, ka shkruar Mišetić.
Avokati i Thaçit i është referuar edhe një raporti të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Shoqatës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, i cili ka ngritur çështje lidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë e Dhomave të Specializuara.
Raporti, i publikuar në maj 2026, ka evidentuar shqetësime për pavarësinë gjyqësore, barazinë e palëve, pranueshmërinë e provave dhe mënyrën e funksionimit praktik të gjykatës.
Megjithatë, vetë organizata britanike e ka cilësuar dokumentin si një rishikim paraprak, duke theksuar se nuk synon të japë përfundime përfundimtare. Dhomat e Specializuara, nga ana tjetër, kanë kundërshtuar disa interpretime të raportit dhe kanë theksuar se ai nuk konstatoi shkelje të të drejtave të të akuzuarve nga vendimet e gjyqtarëve.
Pikërisht mbi këtë përplasje mes deklaratës politike të një zyrtareje të lartë evropiane dhe vlerësimit ende të kontestuar për mënyrën se si ka funksionuar procesi gjyqësor, Mišetić ka kërkuar që paanshmëria e Speciales të mos merret si një fakt i kryer. (Nacionale.com)











