Vendi vakant në Ministrinë e Shëndetësisë do të plotësohet nga kuadro i ASH-së, por që mbetën në VLEN. TV21 nga burime jo zyrtare mëson se Azir Aliu është emri që përflitet për ministër të Shëndetësisë. E kontaktuam përmes telefonit, por nuk deshi shumë të jep detaje.
“Ende nuk ka asgjë zyrtare! Nuk mund ta pohoj, por as nuk mund ta mohoj që do të emërohem Ministër i Shëndetësisë. Nuk dua të shpërqendroj opinionin, ditëve në vijimi do të ketë konfirmim”, tha Azir Aliu.
Aliu është njëri nga figurat që nuk shkuan pas Arben Taravarit i cili vendosi të largohet nga Qeveria. Aliu është shprehur se ndjekja e rrugës së Taravarit dhe tërheqja në këtë moment do të nënkuptonte vetëm dhënie të hapësirës ndaj, siç i quajti ai, strukturave të vjetra të BDI për rehabilitim. Azir Aliu u pa në fotografinë e përbashkët nga takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku ishte edhe zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, që po ashtu vendosi të qëndrojë në Qeveri dhe të mos e ndjekë Taravarin. Duke mos u pajtuar me krejt këto zhvillime që po ndodhnin, dorëheqje nga mandati dha deputeti i ASH-së Salim Sulejmani.
“Afrimi me BDI-në në prag të zgjedhjeve lokale ka sjellë një devijim të rëndë nga parimet për të cilat ishim angazhuar. Ky bashkëpunim politik është një shkelje e premtimeve tona dhe e përfaqësimit që qytetarët shqiptarë meritojnë. Ky veprim për mua është i papranueshëm, pasi nuk mund të jem pjesë e një aleance që bëhet për arsye të interesave të ngushta politike e me njerëz të përmendur në lista të zeza ndërkombëtare për përfshirje në afera të rënda”, deklaroi Salim Sulejmani.
Dorëheqja e Sulejmanit i lëshon vendin emrit tjetër në listën garuese, e që është Valbona Adili Emini, pjesë e Lëvizjes Besa të koalicionit VLEN. Kjo e rrezikon ASH-në e Taravarit që të mos mund të formojë grup parlamentar, pasi mbeten vetëm 4 deputetë nga 5 sa duhet të ketë minimum për formim të grupit parlamentar.










