Banorët e Kocanit pretendojnë se në diskotekën “Puls”, ku shpërtheu një zjarr tragjik, ka funksionuar ilegalisht dhe brenda është shitur edhe drogë, raportoi media bullgare NOVA.
“Kjo është një katastrofë e madhe. Mendoj se e kemi paguar çmimin për 30 vjet korrupsion dhe krim. Më vjen keq për fëmijët që humbën jetën. Ndjej keqardhje për familjet e tyre. Personalish kam njohur disa nga të rinjtë. Ata më janë si fëmijë. Të gjithë ne jemi fajtorë për atë që ndodhi. Shpresoj që kjo do të çojë në ndryshime dhe do ta minimizojë korrupsionin,” thotë një qytetar.
“Jam kundër që diskotekat të punojnë gjatë natës. Ishte e ditur që aty shitej drogë,” shpjegon një tjetër banor i qytetit.
Policia maqedonase, gjatë orëve të fundit, ka arrestuar ish-kryetarët e qytetit të Kocanit – Ratko Dimitrovski nga VMRO-DPMNE, Nikollço Iliev nga SDSM, si dhe Lupço Papazov, gjithashtu nga VMRO-DPMNE, i cili dha dorëheqje pas tragjedisë.
Diskoteka “Puls” ka funksionuar që nga viti 2012.