Trendy

Bastisje dhe shkelje në qelinë e Enver Hoxhës në burgun e Idrizovës, alarmojnë familjarët

Para 2 orë

Familjarët e të dënuarit Enver Hoxha i njohur si pjesë e Grupit të Kumanovës, kanë ngritur shqetësime për bastisje dhe veprime të vandale sot në qelinë e tij në Burgun e Idrizovës, duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse, përcjell INA.

Ata bëjnë të ditur se rasti është njoftuar në Ambasadën Gjermane, pasi që Enveri është shtetas gjerman, te avokatët e tij dhe Avokati i Popullit, me qëllim që të hetohet dhe të sigurohet mbrojtja e të drejtave të tij.

Ish-pjestari i UÇK-së, Enver Hoxha ishte pjesë e grupit të dënuar për “Rastin Kumanova” të vitit 2015 dhe ndodhet në vuajtje të një dënimi prej 40 vitesh heqje lirie, prej të cilave ka kryer 11 vite.

Familjarët theksojnë se Enver Hoxha aktualisht ndodhet në grevë urie, ndërsa pretendojnë për ndërhyrje në sendet e tij personale.

Postimi i plotë (nga familjarët):

Sot ka pasur bastisje apo vandalizëm në Burgun e Idrizovës në Maqedoni, në qelinë e Enver Hoxha Klein. Siç mund ta shihni, vëllai im është i burgosur prej 11 vitesh për rastin e njohur si “Rasti Kumanova”. Enveri është i dënuar me 40 vjet heqje lirie.

Ju kisha lutur të gjitha mediave dhe portaleve që ta shpërndajnë këtë postim. Unë sapo kam kontaktuar edhe Ambasadën Gjermane për këtë rast. Enveri është shtetas gjerman nga nëna, e cila është gjermane, ndërsa babai është shqiptar.

Enveri ndodhet në grevë urie. Për këtë rast është njoftuar edhe Avokati i Popullit, Naser Raufi.

Siç më tregoi para pak kohe, edhe flamuri evropian i kishte penguar dhe ia kishin konfiskuar nga qelia e tij. Ndërkohë, sonte në mbrëmje ia kanë kthyer, pasi e kishin nxjerrë nga një qese. Po ashtu, janë duke pastruar korridorin e tyre, çka lë të kuptohet se mund të ketë ndonjë vizitë aty”, thuhet në reagim. (INA)

Trending