Po zhvillohen bastisje në disa lokacione në vend, si pjesë e një aksioni të përbashkët mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit. Sipas informacioneve zyrtare, ekzistojnë dyshime të bazuara për vepra penale të natyrës korruptive, që lidhen me procesin e ndarjes së mbështetjes financiare në sektorin e bujqësisë.
Jozyrtarisht mësohet se është ndaluar ushtruesi i detyrës drejtor i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Sipas burimeve, dyshohet se bëhet fjalë për marrje të mitës gjatë procesit të ndarjes së fondeve nga programi IPARD. Operacioni është dokumentuar me para të shënjuara, të cilat shërbyen si provë për zyrtarët e hetimit.
Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit njoftojnë se detaje më të hollësishme do të bëhen të ditura gjatë ditës së nesërme, pas përfundimit të fazës së parë të veprimeve hetimore.
Në pritje të informacioneve të mëtejshme, aksioni vlerësohet si një ndër goditjet më të drejtpërdrejta ndaj keqpërdorimit të fondeve të dedikuara për zhvillimin rural dhe bujqësor në vend.










