Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme që nisën në dhjetor të vitit të kaluar, lidhur me parandalimin dhe luftimin e kërcënimeve nga terrorizmi, dje, nën drejtimin e një prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, u zhvillua një aksion i koordinuar nga Agjencia për Siguri Kombëtare dhe departamentet për luftimin e krimit të organizuar dhe të rëndë, si dhe operacionet speciale policore të MPB-së.
Kontrolle janë kryer në pesë lokacione në Shkup dhe Gostivar, ku janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike, një pistoletë, materiale propagandistike, aparate telefonike, pajisje kompjuterike dhe sende të tjera që do t’i nënshtrohen ekspertizës forenzike. Katër persona janë arrestuar.
Aksioni është rezultat i veprimeve të ndërmarra nga Laboratori i Forenzikës Digjitale pranë Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku janë zbuluar disa grupe në rrjetin social Telegram. Në këto grupe, të dyshuarit kishin shpërndarë materiale propagandistike të ISIS-it, të përkthyera paraprakisht, dhe rekrutonin anëtarë të rinj.
Duke vepruar mbi kallëzimin penal, prokurori kompetent ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër këtyre personave, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “organizatë terroriste,” informon Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore, prokurori i çështjes i është drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Penale Themelore Shkup me propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të gjithë të dyshuarit. Gjyqtari e ka pranuar propozimin dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit.