Autoritetet policore mbrëmë kanë kryer bastisje në shtëpinë e ish kryetares së Tetovës, Teuta Arifi dhe gjyqtarit suprem Shpend Devaja, në kuadër të një operacioni antidrogë pasi djali i tyre 16-vjeçar ishte arrestuar nën dyshimin se po tregton me lëndë narkotike. Sipas policisë, 16-vjeçari drogën e kishte mbajtur të fshehur në një lokal të cilin e kishte marrë me qira.
“Më datë 16.04.2026 në ora 22:05, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 16-vjeçar nga Tetova, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale sipas nenit 215 të Kodit Penal. Gjatë kontrollit në një lokal në Tetovë, të kryer me pëlqimin e pronarit, të cilin i mituri e shfrytëzonte me qira, janë gjetur dhe sekuestruar: 34 paketime me marijuanë, një kuti dhe një qese me marijuanë, një paketim me lëndë pluhuri të bardhë,” thanë nga SPB, Tetovë.
Në prani të prindit, 16-vjeçari është marrë në pyetje, ndërsa nga SPB e Tetovës paralajmërojnë kallëzim përkatës penal.
16-vjeçari do të mbrohet në liri, pasi Prokuroria njoftoi se kundër personit është ngritur procedurë sipas Ligjit për Drejtësi për Fëmijët. /Alsat.mk










